Qeveria konservatore e Greqisë të premten i mbijetoi një votimi mosbesimi të paraqitur nga opozita e majtë lidhur me një skandal përgjimi që synonte politikanë, drejtues të ushtrisë dhe gazetarë.
Akuzat për mbikëqyrje shtetërore kanë rënë që kur kreu i partisë socialiste PASOK, partia e tretë më e madhe e Greqisë, tha gushtin e kaluar se telefoni i tij ishte përgjuar nga shërbimi i inteligjencës shtetërore EYP në 2021.
Por qeveria, e cila ka mohuar çdo keqbërje ose përgjim me vetëdije të dikujt, pritej t’i mbijetonte votimit të së premtes.
“Unë kam thënë se përgjimi, ose survejimi, i zotit (Nikos) Androulakis nuk ishte politikisht i pranueshëm,” u tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis ligjvënësve përpara votimit. “Kishte mosmiratimin tim të menjëhershëm për këtë.”
Vota e mosbesimit u kërkua nga Alexis Tsipras, lideri i partisë së majtë SYRIZA, në përgjigje të një skandali të përgjimeve.
Debati në parlamentin grek u mbyll me deklaratën e kryeministrit Mitsotakis, i cili u shpreh se do të jetë gjykata ajo që do të zbardhë rastin.
Ai akuzoi Tsiprasin për përfshirje në baltosje politike përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Shteti fqinj u trondit nga skandali i përgjimeve kur midis 2020 dhe 2022 shërbimi sekret grek përgjonte telefonat dhe celularët e politikanëve të opozitës, ministrave, oficerëve të lartë ushtarakë dhe një numri gazetarësh.