Ne Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta perseriti apelin e tij publik për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe institucioneve që të dhurojnë gjak e të shpëtojnë jetë njerëzore në shenjë humanizmi e solidariteti.
Presidenti Ilir Meta vizitoi të rinjtë në Qytetin Studenti që dhuruan gjak për fëmijët talasemikë, dukë u bërë thirrje të gjithëve të përfshihen në këtë kauzë humane.
“Shumë i lumtur të rikthehesha sot në Qyteti Studenti, në Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë, që përkon me 1-vjetorin e Aleancës për Dhurimin e Gjakut, por edhe me 20-vjetorin e Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë, për të takuar të rinj e të reja, të cilët me vullnetarizëm organizuan një seancë dhurimi gjaku, si akt humanizmi e solidariteti për personat e prekur nga kjo sëmundje.
Frymëzues akti i 20-vjeçarit Endri Gjoshi, i cili sot, në ditën e tij të lindjes, dhuroi gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë duke premtuar se do të vijojë të jetë një dhurues vullnetar i rregullt.
I ftoj të gjithë të rinjtë të përfshihen në këtë kauzë jashtëzakonisht humane”. tha Meta.