Realpolitik “ Flash” No. 62
17 – 31 JANAR 2023
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. Jorgji KOTE
1.Çdo Ballkani në Davos?! Kjo pyetje shtrohet mbasi kemi parë liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor të ngjiten deri në Davos të Zvicrës më 16 – 19 Janar. Dihet se Forumi Botëror 52 vjeçar i Davosit mbledh liderët e vendeve dhe organizatave më të mëdha të botës, ku diskutohen idetë dhe vizionet e tyre me jehonë për të ardhmen e botës në fushat më jetike. Mirëpo, liderët e rajonit e kanë tepëruar duke shkuar çdo vit në atë Forum, çka u ngjan më shumë vizitave turistike alpine. Ca më tepër ku problematika e rajonit është e stërnjohur, mbasi vështirë të ketë mbetur forum botëror, europian dhe rajonal pa u marrë me to. Mjafton të rikujtojmë Samitin e BE-së me 30 Qershor në Bruksel, të Pragës më 6 Tetor dhe Samitin e Tiranës më 6 Dhjetor 2022, pa përmendur “ teatrin veror” me forum në të gjitha kryqytetet e rajonit dhe më gjerë. E megjithatë, dhe këtë radhë, ende pa u kthyer nga Davosi liderët e rajonit, problemet nisën nga e para ose shpërthyen konflikte të reja rajonale. Kështu ndodhi me Serbinë dhe Kosovën, dy liderët e së cilës kanë përpara draftin gjerman dhe europian në Beograd dhe Prishtinë të dorzuar nga 5 të dërguarit e mëdhenj. Dhe Abazovici i cili ka 8 muaj që është në largim, do të bënte më mirë të qëndronte në Podgoricë e të merrej me qeverinë kujdestare, sepse gjërat po atje shkojnë “ nga shiu në breshër”; Bosnia po dihet me problemet e saj të njohura; Shkupi dhe Tirana po i çelin vërtet negociatat, ama tani duhet t’i shtrohen punës, mes skandalesh të mëdha në Tiranë dhe krizës së re Shkup – Sofje, që mund të shkaktojë vonesa të tjera pa afat për negociatat, duke i shtyrë ato vërtet në kalendat greke.
- “Si nata me ditën” është në fakt projekti gjerman i vitit 1972 dhe ai “ europian” për Beogradin dhe Prishtinën; ndonëse shpresohet që me atë model të dalin “të gjithë të fituar”, ose “ win – win” situation, siç thuhet në anglisht. Për këtë mjafton t’i hedhësh një sy dallimeve të mëdha ndërmjet këtyre dy projekteve pothuajse identikë. Së pari, ndryshe nga Boni dhe Berlini Lindor atëhere, mjedisi, terreni dhe klima e sotme Beograd – Prishtinë është e helmuar dhe e minuar, mes konfliktesh të shumta rajonale deri te agresioni rus në Ukrainë. 50 vite më parë ishte “Ostpolitika” e famshme, e cila synonte “ndryshimin përmes afrimit”, ndërsa sot Beogradi vetëm largohet nga fryma europiane e pajtimit. Atëhere në Bon ishte Kancelari Brandt, Nobelisti i Paqes, ndërsa sot në Beograd është President Vuçiç, ish Ministri i Informacionit të Milosevicit. Ish RFGJ-ja njohu menjëherë dhe i dënoi me të gjitha format krimet e nazizmit dhe Holokaustin, ndërsa Serbia nuk denjon ta bëjë këtë dhe tani, mbi 24 vjet pas ndërhyrjes ushtarake të Perëndimit në Kosovë. Ish RFGJ-ja dhe RDGJ-ja nuk kishin konflikte mes tyre, veç sistemit të kundërt politik; ato ishin dy pjesë të një kombi; RFGJ-ja bëri pajtimin historik me Francën me të cilën bashkëthemeluan BE-në me 4 vende të tjera, etj. Ndërsa Serbia ka mbetur “ ala te ura” vetëm me Ballkanin e (K)Hapur, dhe ai si karshillëk ndaj Procesit të Berlinit. Te Draft – Marrëveshja Europiane me 10 nene, 5 janë “ copy&paste” të modelit gjerman 1972. 4 nenet e tjera kanë ndryshime në favor të Beogradit që ia shtojnë “dhimbjet e kokës” Prishtinës zyrtare. Ndryshe nga ish RDGJ-ja, me këtë projekt, Kosova praktikisht nuk siguron njohjen dhe antarësimin në OKB, madje pa garanci as për BE-në. Sepse Serbia “nuk bën dot xhap” në këto aspekte madhore pa viston e Rusisë dhe Kinës; ndryshe nga 5 dekada më parë, kur SHBA-ve, Francës dhe Britanisë u rreshtua dhe Bashkimi Sovjetik si garante për nënshkrimin dhe zbatimin rekord brenda vitit të asaj Marrëveshjeje; ndërsa sot Rusia, e tani dhe Kina e “kanë halë në sy” Kosovën. Në projektin e sotëm, kërkohet krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe njohja e autoritetit të Kishës Ortodokse, të cilat nuk figuronin më 1972. Ndërkohë, Serbisë nuk i vihet asnjë detyrim për të ndërprerë fushatën e çnjohjeve, sërish problem i panjohur atëhere. Pika tjetër e paqartë lidhet me statusin, sepse nuk përmendet pavarësia e Kosovës; as me ndonjë shënim shtesë, siç bëri RFGJ-ja atëhere, e cila në fund të tekstit shtoi se do vazhdonte punën për ribashkimin gjerman. Kryesorja, atëhere marrëveshja ishte përfundimtare dhe u zbatua brenda vitit, ndërsa sot, dhe në rast të miratimit të projektit, ai do të mbetet i ndërmjetëm, pa afate kohore dhe garanci zbatimi, ku sërish rrezikohet që “ njeri të jetë i nënës dhe tjetri i njerkës”
3.Po Rezoluta jonë në Strasburg? Është pyetja që lind pas Sesionit dimëror të Asamblesë Parlamentare të KiE-së në Strasburg më 26 – 29 Janar. Asgjë nuk dëgjuam, sidomos për atë që bëri aq shumë bujë tetorin e kaluar; kur Kryeministri Rama lëshoi batare me akuza të rënda ndaj KiE-së për Rezolutën e Dick Martyt të Dhjetorit 2010 lidhur me hetimin e akuzave për trafikim të qënieve njerëzore. Kaluan mbi tre muaj dhe nuk dihet asgjë se ku janë procedurat për zëvendësimin e saj me draftin tonë. Natyrisht ato janë të ndërlikuara dhe kërkojnë kohë të gjatë me shumë demarshe diplomatike, se atje nuk “ pijnë ujë” procedurat “brenda natës”. E megjithatë, duhet të dimë se në ç’pikë janë këto procedura dhe cila është perspektiva e tyre, që të mos shtyhen “në 36 të gushtit”! Ndryshe, do të na ndodhë si te thënia proverbiale shekspiriane “ Shumë zhurmë për asgjë”
4.Dhe “ Gjeneral Dimri” dështoi! Është fjala për “ armën sekrete” ruse, siç e konsiderojnë dimrin e acartë, i cili shpresohej se do ta gjunjëzontë Ukrainën dhe Europën, me mungesa gazi, energjie dhe ushqimore. Mirëpo “Gjeneral Dimri” nuk e ndihmoi Putinin, sepse nuk ndodhi i ftohti që pritej dhe Europa arriti të përballojë nevojat energjitike me burime të tjera.
Ndërkohë, SHBA, Gjermania dhe aleatë të tjerë perendimorë do t’i livrojnë së shpejti Ukrainës tanket më të fuqishme të kohës “M1 Abrams” dhe “Leopard 2”. Veç 2 miliard dhe 500 Milion Euro shtesë me ndihma që ato vensosën t’i akordojnë Ukrainës në Ramstein. Tanimë pritet ofensiva ushtarake pranverore ukrainase, në përvjetorin e parë të agresionit rus, dhe mesa duket Putini në Ukrainë po “ shkon për lesh por do kthehet i qethur”.
© 2023 Argumentum