Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç priti me nderimet më të larta shtetërore presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi,
“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për të marrë statusin vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim fuqishëm këtë”, tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Kështu tha ai të martën para gazetarëve në Podgoricë, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e parë të saj zyrtare në këtë shtet.
Osmani tha se Mali i Zi deri më tani ka treguar mbështetje të qartë për Kosovën në të gjitha fushat.
“Mali i Zi dhe Kosova janë shtete sovrane dhe qartësisht të përkushtuara në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë me synimin për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sonë të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo.
Ajo falënderoi Gjukanoviqin për mbështetjen e tij, dhe tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO i kontribuoi paqes në të gjithë rajonin.
Duke folur për raportet e ndërsjella, të cilat sipas tyre janë të rëndësishme dhe miqësore, Gjukanoviq tha se ka punë përpara që pakica malazeze në Kosovë të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës si komunitet zyrtar.
Osmani tha komuniteti malazez në Kosovë është pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit.
Gjukanoviq tha gjithashtu se Mali i Zi po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi të bindur se mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje – do të zgjidhej dukshëm çështja e stabilitetit e këtij rajoni”.
Osmani tha se gjatë takimit është biseduar për potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është takuar sot edhe me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Osmani, në një postim në Facebook, ka pohuar se me kryeministrin Abazoviq kanë biseduar rëndësinë e madhe të bashkëpunimit në mes dy shteteve.
“Si dy shtete të orientuara kah e ardhmja euroatlantike, me kryeministrin Dritan Abazoviq diskutuam sot për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në drejtim të jetësimit të këtij synimi të përbashkët”, ka shkruar Osmani.
Presaidentja ka thënë se dy vendet tona i përafrojnë edhe më shumë komuniteti shqiptar në Mal të Zi, si dhe ai malazez në Kosovë. “Andaj, potencuam rëndësinë e madhe të hapjes se kapitujve të ri të bashkëpunimit në tregti, arsim, turizëm e fusha të tjera në dobi të qytetarëve në të dy shtetet”, ka shkruar Osmani.
Në ditën e dytë të vizitës, Presidentja e Republikës së Kosovës do të vizitojë komunën e Tuzit dhe Ulqinit.
Qeveria e Malit të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Gjukanoviq e njohu Kosovën në tetor të vitit 2008, tetë muaj pas vendimit të Prishtinës për ta shpallur pavarësinë.