Partia Socialiste e Shqipërisë është njohur me raportimet e medieve për të dhëna personale të personave që pretendohet të kenë shkarkuar dhe përdorur platformën “Aktiv1st”.
Partia Socialiste e ka denoncuar publikisht dhe ka njoftuar ndjekjen e rrugëve ligjore për ndërhyrjen e paligjshme në infrastrukturën e saj elektronike, konkretisht aplikacionin “Aktiv1st” dhe më tej manipulimet e kryera me qëllim mbi të dhëna të caktuara të marra në shkelje të ligjit.
“Sikurse është bërë e qartë publikisht, aplikacioni “Aktiv1st” është një mjet komunikimi i Partisë Socialiste i cili mund të shkarkohet lehtësisht nga çdo individ që ndodhet në Republikën e Shqipërisë. Aplikacioni gjendet lehtësisht në Playstore dhe Appstore për të dyja sistemet e operimit celular Android dhe IOS. Regjistrimi në aplikacion si në çdo aplikacion kërkon disa të dhëna bazike që përshtaten me tipologjinë e aplikacionit”, shprehet PS në njoftim.
Gjithashtu PS thekson se, “të dhënat e plotësuara nga përdoruesi, përveç emrit dhe mbiemrit të cilat janë njëkohësisht edhe llogaria e tij në aplikacion, nuk shfaqen tek përdoruesit e tjerë. Këto të dhëna qëndrojnë në llogarinë e përdoruesit, mund ti shohë vetëm individi i regjistruar dhe nuk shfaqen në asnjë hapësirë tjetër. Askush, përfshirë edhe vet PS-ja si krijuese e aplikacionit nuk ka autorizim prej përdoruesve që të kryejë publikimin e të dhënave”.
Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon nga mediat audiovizive, mediat elektronike dhe të gjitha platformat e portalet online që të refuzojnë në çdo rast publikimin e të dhënave të pjesshme apo të plota qofshin ato, që pretendohet se janë siguruar nga ndërhyrja e kundërligjshme në platformën elektronike “Aktiv1st”, pronë e P.S.SH si dhe të fshijnë çdo informacion nga përmbajtja e faqeve të tyre të internetit të publikuar deri tani.
“Sjellim në vëmendjen tuaj se Kodi Penal i RSH (neni 186/a K.P, 192/b, 239/a, 293/b, 293/c) ka kriminalizuar ndërhyrjet e paautorizuara kompjuterike, përgjimin e të dhënave kompjuterike, ndërhyrjet e paautorizuara në të dhënat kompjuterike etj., dhe çdo posedim i të dhënave të përfituara nga kryerja e veprave penale sjell pasoja sipas ligjit”, vijon PS njoftimin.
PS shton se, “gjithashtu, të dhënat e siguruara nga ndërhyrja e kundërligjshme nuk mund dhe nuk duhet të publikohen në asnjë rast nga ana e medieve pasi këto të fundit nuk kanë statusin ligjor për një veprim të tillë në bazë të parashikimeve të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Neni 6 dhe 7 të ligjit 9887/2008 kërkon domosdoshmërisht marrjen e pëlqimit në mënyrë të qartë nga subjekti i të dhënave personale, në të kundërt publikimi i tyre bie automatikisht në paligjshmëri”.
Në njoftimin e saj PS informon se, “publikimi i të dhënave të përfituara nga kjo ndërhyrje vjen në kundërshtim edhe me ligjin Nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Kodin Etik të medies shqiptare pasi informacioni në fjalë nuk është tjetër veçse një produkt i veprës penale, dhe cenon rëndë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit”.
Partia Socialiste e Shqipërisë do të ndjekë në mënyrë rigoroze këtë rast dhe do të procedojë sipas ligjit për hetime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për çdo media e cila do të vazhdojë të kryejë publikimet e këtyre të dhënave në shkelje të ligjit edhe pas kësaj kërkese publike.