Opozita e bashkuar ka mbajtur sot (11.02) nje protestë kombetare në kryeqytet.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha e ka cilësuar nisje të revolucionit demokratik, duke ftuar qytetarë edhe nga qytete të tjera të vendit të bashkohen në shesh.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa në orën 12:00 nisën marshimin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, drejt selisë së Kryeministrisë.
Fjalimet që u mbajtën gjatë tubimit kishin në qendër kritikat e forta ndaj qeverisë si përgjegjëse për një varfëri sipas tyre në rritje, për një korrupsion që vetëm thellohet apo për politika që sipas opozitës, po detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi. Prandaj, për opozitën e vetmja zgjidhje shihet të largimi I kryeministrit Edi Rama.
Për ish presidetin Ilir Meta, numërimi mbrapsht ka filluar: “Populli i Shqipërisë e ka marrë vendimin e tij solemn dhe nuk do të lejojë më që Edi Rama të vazhdojë të uzurpoj zyrën e Kryeministrit, të cilën u provua që e ka kthyer në një çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Populli nuk do të lejojë më kurrë, që zyra e Kryeministrit të prodhojë vetëm mjerim, që shpopullon vendin dhe dëbon qindra mijëra shqiptarë dhe sidomos të rinjtë dhe fëmijet nga atdheu i tyre”.
Për ish kryeministrin Sali Berisha, i cili ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, protesta e sotme përfaqëson “siparin e revolucionit demokratik për përmbysjen e monizimit të dytë”. Sipas tij, kryeministri është “një njeri që urren shqiptarët, i vjedh e i varfëron, që mashtron çdo ditë këtë popull dhe këtë komb, një njëri i cili mendon vetëm e vetëm për pasurimin e tij, një njeri i cili ndjen kënaqësi kur boshatis këtë vend nga banorët e tij, që në çdo mendim ndryshe sheh një armik, njësoj si etërit e tij. Me këtë njeri duhet të ndahemi përfundimisht”.
Në fjalën e zotit Berisha një vend të veçantë zuri dhe çështja McGonigall, ish zyrtarit të FBI-së nën akuzë në Shtetet e Bashkuara, e që rezulton të ketë patur një marrëdhënie të veçantë me kryeministrin Rama. Opozita e akuzon kreun e qeverisë se përdori zyrtarin e FBI-së për të shkatërruar opozitën, duke ju referuar hetimeve që FBI-ja hapi, me kërkesë të zotit McGonigall ndaj lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara. Zoti Rama nga ana e tij ka mohuar te ketë lidhje mes tij dhe akuzave ndaj ish zyrtarit të FBI-së.
Opozita e ka kthyer këtë çështje në një kalë të betejës së saj politike, ndërkohë që sot zoti Berisha përsëriti disa herë se për të realizuar objektivin e saj, opozita është e gatshme për çdo gjë. “Unë e di se të gjithë keni ardhur të pregatitur për betejë. Dhe ne jemi në betejë. Por thirrja ime është të shndërrohemi në qytetarë të revoltuar protestues. Të shndërrojmë revolucionin tonë gjer në fitoren. Thirrja ime është çdo ditë, të bëjmë gjithçka për të shkurtuar jetën këtij regjimi. Edi Rama, regjimi i tij duhet përmbysur një ditë e më parë”.
Në përfundim të saj përpara Kryeministrisë protestuesit kanë hedhur tymuese në drejtim të godinës dhe efektivëve të policisë. Hedhja e tymyeseve e shashkave ka krijuar edhe zjarr në disa momente si dhe tym.
Hedhja e tymyeseve e shashkave nisi gjatë dhe pas përfundimit të fjalës nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha që i dha fund edhe protestës së opozitës. Berisha paralajmëroi në fjalën e tij protestë tjetër ditën e hënë para Kuvendit.
Marshimi i Berishës para Institucioneve
Kryetari i PD-së, Sali Berisha i shoqëruar nga një grup protestuesish marshoi drejt Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe bashkisë së Tiranës pas përfundimit të protestës së opozitës prej rreth dy orësh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Para Ministrisë së Brendshme, Berisha tha se, “erdhëm këtu për t’i dhënë një mesazh ministrit të familjes Çuçi, se ai duhet të japë urgjentisht bashkë me Edi Ramën dorëheqjen. Ky marshim pranë shtyllave kryesore është paqësor sot, por ky ka objektivat e veta taktike dhe strategjike. Do t’i mësoni në ditët në vazhdim. Sot kaluam para parlamentit ditën e hënë protestojmë para parlamentit”.
Po ashtu Berisha është ndalur para bashkisë së Tiranës nga ku deklaroi se, “Veliaj s’ka të drejtë të hyjë asnjë ditë në këtë godinë pasi vjedh 18 euro në çdo ton nga plehra”.
Gjithashtu, Berisha u ndal edhe te Partia Socialiste ku u shpreh se kjo ndërtesë është shndërruar në selinë e së keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Rama.
“Së pari për një mesazh paqësor për të gjithë socialistët e ndershëm shqiptarë. Kërkoj mirëkuptimin e tyre, i siguroj se aq sa kanë ata respekt për votën e tjetrit, aq ka Sali Berisha respekt për ta. Kjo ndërtesë është shndërruar në selinë e së keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Rama, i cili me lidhjet e tij me bandat, me krimin, iu ka shkaktuar shqiptarëve dramën më të madhe, ka përzënë nga vendi nga viti 2014, mbi 700 mijë shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha e ka mbyllur protestën e kësaj të shtune në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Socialiste. Berisha zgjodhi që aty që të jepte një mesazh për të gjithë ata që ai i quajti si socialistë të ndershëm.
Sipas kreut të PD-së, qeveria e kryeministrit Rama nuk përfaqëson më interesat e socialistëve apo qytetarëve, por interesat e grupeve kriminale.
“Mesazh miqësor për të gjithë socialistët e ndershëm dhe i siguroj se aq sa kanë respekt për lirinë dhe votën e tjetrit, aq ka Sali Berisha për ta. Jam këtu për t’iu them se kjo ndërtesë është kthyer në simbolin e së keqes nga Edi Rama, i cili me krimin dhe aktet e tij u ka shkaktuar shqipatërve dramën më të madhe të historisë së vendit. Që nga viti 2014 e deri sot janë larguar 970 mijë persona.
Erdha këtu t’iu them se Rama në piramidën e krimit dhe të drogës nuk është i vetëm, ai që kryeson grupin paralamentar të Rilindjes është një trafikant i shpifur, është një njeri që merrej në Rumani për t’i nxjerrë viza prostitutave rumune. Çfarë i lidh socialistët me ta, ata nuk mbtojnë interesat e tyre, por intersat e trafikantëve”, tha Berisha.
Pas marshimit para institucioneve Berisha e mbyllë rrugëtimin tek selia e Partisë Demokratike.
Ai i bëri thirrje policisë së shtetit të lirojë protestuesit, luftëtarët e lirisë, sepse çdo cenim i tyre cilido që ta bëjë, do të regjistrohet si armik i revolucionit.
“Revolucioni ynë është betejë jetike, këtë mision se idealet tona nuk ka forcë në botë ti mposhtë. Këtu para jush i kërkoj policisë të lirojë protestuesit, luftëtarët e lirisë, paqësorë sepse çdo cenim i tyre cilido që ta bëjë, do të regjistrohet si armik i revolucionit. Kurse protestuesit si të persekutuar politikë, u bëj thirrje ju të gjithëve duke ju falenderuar që më ndoqët në këtë marshim, të hënën ora 5 para Parlamentit. Do vazhdojmë revolucionin deri në fitore”, u shpreh Berisha.
/Argumentum.al