Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ndau sot në rrjete sociale pamje nga ky aktivitet ndërkombëtar i rëndësishëm për bujqësinë, teksa vuri në dukje se “dhjetë përfaqësues të kompanive bujqësore eksportuese, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përgjatë tri ditëve të panairit më të rëndësishëm, prezantuan ekselencën shqiptare në prodhimin bujqësor në stendën shqiptare, duke hapur rrugë të reja me bizneset evropiane dhe globale për kontrata dhe tregje të reja për eksport”.
Panairi “Fruit Logistica” mbledh çdo vit mesatarisht 3,200 ekspozues dhe 78,000 vizitorë. Ai u mbajt në datat 5-8 shkurt në Berlin, ku u mblodhën kompani nga e gjithë bota që veprojnë në sektorin e agrobiznesit si dhe eksportit dhe importit të produkteve të freskëta.
Ky panair ishte një platformë ideale që krijoi mundësi vendtakimi global dhe lehtësoi krijimin e kontakteve të reja, zgjerimin e partneriteteve si dhe identifikimin e blerësve potencialë.
Amarildo Agaçi, përfaqësues i një prej kompanive shqiptare thotë se, “rikthehemi në Berlin në një nga eventet më të mëdha që ndodh në gjithë botën, ndërkohë kemi mundësi të hapim tregje të reja jo vetëm në Ballkan por edhe në Europë, gjithashtu edhe jashtë kontinentit të Europës. Do doja gjithashtu të falënderoja Ministrinë e Bujqësisë që na ka dhënë mundësinë të ndodhemi në këtë panair”.
Ndërsa Shpëtim Oseku tregon se në këtë panair ka marrë shumë kontakte dhe, siç thotë ai, ishte “shumë i domosdoshëm dhe mendoj që duhet ta ndjekim shpesh çdo vit. Të gjithë prodhuesit shqiptarë duhet të vijnë patjetër. Është organizuar në mënyrë perfekte, mund të gjesh klientë pafund”.
Ndërsa Arjol Shero, përfaqësues i “Agro Konispolit” me seli në bashkinë e Konispolit, në zonën e Mursisë, tregon se merret me grumbullimin dhe eksportin e mandarinës.
“Kompania jonë është me histori suksesi në tregun e mandarinës. Jemi të parët që kemi futur përpunimin dhe paketimin e mandarinës dhe kemi eksport kryesisht në vendet europiane si Polonia, Letonia, Lituania, Çekia, Ukraina, Rumania, Serbia, Kosova, Maqedonia. Marrim pjesë për herë të parë ne panairin “Fruit Logistica” në Berlin. Jemi shumë të kënaqur me pjesëmarrjen, kemi bërë shumë takime të cilat mendoj se do na hapin dhe tregje të reja në sezonin e ardhshëm”, thekson Shero.
Donaldi nga “Dupi Fruit” sh.p.k. tregon se kompania ka veprimtarinë e prodhimit në përpunimin dhe eksportimin e hudhrës. “Jemi duke marrë pjesë në panairin “Fruit Logistica 2023”, një nga panairet më të mëdhenj në botë dhe kjo falë mbështetjes së Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë. Është një panair ku bujqit dhe eksportuesit dhe fermerët e mëdhenj gjejnë gjithçka, gjejnë klientë, tregje të reja, mënyra të reja paketimi dhe inovacioni, për të arritur standardet bashkëkohore. Dhe njëherë falënderimet më të mëdha Ministrisë së Bujqësisë për suportin e vazhdueshëm gjatë gjithë këtyre viteve”.
Përfaqësues i “Hatia Group” tha se dhe sivjet ishte i pranishëm në “Fruit Logistica 2023” dhe kjo falë organizimit nga Ministria e Bujqësisë. “Ne shohim një tendencë në rritje të kërkesave nga tregjet e huaja për sa i përket produkteve shqiptare dhe shpresojmë që të kemi sa më shumë marrëveshje bashkëpunimi me shtetet e huaja. Gjithashtu, i jemi mirënjohës Ministrisë së Bujqësisë për organizimin”, u shpreh ai.
Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë “Tomato-Al” tregoi se ky është viti i shtatë në radhë që morën pjesë në “Fruit Logistica”.
“Mund të them që mund të jetë viti më i suksesshëm deri tani, me takimet që kemi zhvilluar dhe me pjesëmarrjen e vizitorëve në stendën tonë. Ministria e Bujqësisë ka bërë një punë të shkëlqyeshme me prezantimin e stendës në “Fruit Logistica”, u shpreh ai.
“Mund të them që mund të jetë stenda më e bukur ndër vite që kemi marrë pjesë dhe jemi tejet të kënaqur me prezencën dhe me figurën që kemi paraqitur në “Fruit Logistica””, theksoi ai.