Ideatori dhe krijuesi i obeliskut me të cilin Prishtina, por edhe Kosova identifikohen viteve të fundit, që nga shpallja e pavarrësisë, edhe këtë vit ka ndryshuar ngjyrat.
Megjithëtëse, ka 15 vjet që Fisnik Ismaili ia ndryshon ngjyrat, duke përcjellë nga një mesazh të veçantë, këtë vit, shkronjave të mëdha, ua ka ndryshuar edhe vendet.
Mesazhi është kundër krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke lëvizur shkronjat e “New Born”, ai ka krijuar mesazhin “NO NEW BR”, kurse mbi dy shkronjat e fundit ka shkruar, “Broken Republic” (Republikë e thyer).
Monumenti NEWBORN që u vendos në Prishtinë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008, sivjet duket ndryshe. Mesazhi pasqyron shqetësimet për rrjedhën e negociatave me Serbinë, ndërsa është shtuar trysnia perëndimore për një marrëveshje, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të siguruar një marrëveshje, diplomacia perëndimore ka shtuar trysninë mbi Prishtinën për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Prishtina ka hezituar të zbatojë marrëveshjen nga frika se Asociacioni mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje, megjithëse Shtetet e Bashkuara e kanë siguruar atë se kjo nuk do të ndodhë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha mëngjesin e së premtes se pavarësia është rezultat i historisë shekullore të Kosovës, si vend ku gjithmonë kanë jetuar krah për krah me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të, komunitete të feve dhe gjuhëve të ndryshme.
“Ne e dimë mirë ç’është bashkëjetesa, madje kemi histori të gjatë bashkëjetese të suksesshme – të cilën e kanë dëmtuar vetëm ata që dëshirojnë të dominojnë, të sundojnë, t’i mbivendosen vullnetit të shumicës për pavarësi. Sot në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të pavarësisë është vendi të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë – dhe e kemi fjalën për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet, me formula eksperimentuese të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”, tha kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë së tij me të cilën u hap një ditë kremtimesh.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia me 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe mbi popullsinë shqiptare.
Beogradi reagoi me zemërim dhe i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vlerësimin e vendimit të Kosovës. Në vitin 2010 Gjykata tha se “deklarata e pavarësisë së Kosovës, e miratuar më 17 shkurt 2008, nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.