Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se Presidenti rus Vladimir Putin bëri një gabim të madh duke pezulluar pjesëmarrjen e vendit të tij në traktatin e fundit të mbetur mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, atë të kontrollit të armëve bërthamore. Këto ishin komentet e tij të para që nga njoftimi që zoti Putin bëri të martën lidhur me traktatin e njohur si ‘START-i i ri’. Presidenti amerikan ishte në Poloni për të siguruar aleatët e krahut lindor të NATO-s se Uashingtoni do të qëndrojnë krah të tyre ndërsa Rusia vazhdon me agresionin e saj në Ukrainë.
Vendimi pritet të ketë një ndikim të menjëhershëm tek mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të monitoruar aktivitetin bërthamor rus. Megjithatë pakti ishte pothuajse i vdekur, pas anulimit që Moska i bëri në fund të vitit të kaluar bisedimeve që kishin për qëllim të shpëtonin marrëveshjen, për të cilën të dyja palët kanë akuzuar tjetrën për shkelje.
“Është një gabim i madh”, tha Presidenti Biden.
Komentet e presidentit amerikan erdhën teksa ai i dha fund një vizitë katër-ditore në Poloni dhe Ukrainë, me bisedime me udhëheqësit e atij që njihet si grupi i Bukureshtit, në përbërje të të cilit janë 9 vende të pjesës më lindore të aleancës së NATO-s. Grupi u formua të vitin 2014 si përgjigje nga zotit Putin për aneksimin e Krimesë, një territor ukrainas. Aleanca përfshin Bullgarinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë.
Ndërsa lufta në Ukrainë po zvarritet shqetësimi që ekziston mes nëntë vendeve të Bukureshtit vazhdon të jetë i madh. Shumë frikësohen se presidenti Putin mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër tyre në vijim, nëse do të jetë i suksesshëm në Ukrainë.
“Ju jeni vija e parë e mbrojtjes sonë kolektive“, u tha udhëheqësve të grupit Presidenti Biden të mërkurë. “Dhe ju e dini, më mirë se kushdo, se çfarë po rrezikohet nga ky konflikt. Jo vetëm Ukraina, por edhe liria e demokracia në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën”, shtoi ai.
Presidenti tha se pakti i NATO-s për mbrojtje kolektive është “i shenjtë” dhe se: “ne do të mbrojmë, çdo pëllëmbë të NATO-s, në kuptimin e plotë të fjalës”.
Një ditë më parë përpara Kështjellës Mbretërore të Varshavës, Presidenti Biden paralajmëroi se nëse agresioni rus, nuk kontrollohet, nuk do të ndalet në kufijtë e Ukrainës. “Orekset e autocratëve nuk mund të shuhen”, tha ai. “Ata duhet të kundërshtohen”.
Kryeministri hungarez Viktor Orban, udhëheqësi populist i krahut të djathtë, i cili tha javën e kaluar se Bashkimi Evropian është pjesërisht fajtor për zgjatjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, ka hequr dorë nga sanksionet ndaj Moskës dhe armatosja e Kievit. Zoti Orban anashkaloi takimin me Presidentin Biden dhe në vend të tij morri pjesë Presidenti Katalin Novák.
Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis, këmbënguli se B9-ta është më e fortë se kurrë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili mori pjesë në takim tha se: “Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë lufta, por kur ajo të përfundojë, ne duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet“. Duke vënë në dukje veprimet e kaluara të Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë, ai shtoi: “Ne nuk mund të lejojmë që Rusia të vazhdojë të shkatërrojë sigurinë evropiane. Ne duhet të thyejmë ciklin e agresionit rus”.
Presidenti Biden u takua të martën në Varshavë me presidenten moldave Maia Sandu, e cila javën e kaluar pretendoi se Moska qëndron pas një komploti për të rrëzuar qeverinë e vendit të saj duke përdorur sabotatorë të jashtëm.
I vendosur mes Ukrainës dhe Rumanisë dhe një prej vendeve më të varfra të Evropës, kombi i Evropës Lindore ka pasur lidhje historike me Rusinë, por dëshiron të bashkohet me Bashkimin Evropian. Preisdenti Biden në fjalët e tij dhe miratimin për kërkesën e Moldavisë për t’u bërë pjesë e BE-së./voa