Presidenti Bajram Begaj reagoi për ngjarjen e rëndë të ditës së sotme, ku mbetën të vrara tre gra dhe u plagosën tre të tjera.
Begaj tha se fenomene të tilla të dhunës ekstreme apo të çdo lloj forme dhune ndaj grave, nuk kanë vend dhe nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë demokratike, ndërsa kërkoi që organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit
“Lajmet makabre të ditës së sotme në Tiranë, ku tre gra janë vrarë e tre të tjera janë plagosur, janë tërësisht të papranueshme. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave! Fenomene të tilla të dhunës ekstreme apo të çdo lloj forme dhune ndaj grave nuk kanë vend dhe nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë demokratike, ku dinjiteti dhe jeta e njeriut janë vlera të larta dhe të pazëvendësueshme”, tha Begaj.
Ai u kërkoi organeve ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit.
“Dënoj ashpër të gjitha ngjarjet e dhunës në familje dhe kërkoj që organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit. Një shoqëri ku gruaja vritet, dhunohet, keqtrajtohet, nënshtrohet, është një shoqëri që nuk duhet të pushojë deri sa ky realitet të ndryshojë totalisht”, deklaroi Presidenti Begaj.