Irlanda, Holanda dhe Belgjika, më të ekspozuarat
Rreth 3,400 kamionë transportohen çdo ditë nëpërmjet portit të Roterdamit dhe Britanisë. Ata mbajnë rreth 54 milionë tonë mallra që tregtohen çdo vit midis Holandës dhe Britanisë. Ecuria që do të marrë Brexit nuk është bërë ende e qartë në Parlamentin britanik.
Në rast se Britania nuk do të jetë më pjesë e tregut të vetëm të BE-së dhe e Bashkimit Doganor, tregtia do të bëhet më pak e qëndrueshme, shkruan The Economist.
Shoferët e kamionëve mund të përballen me pengesa të shumta, për shembull, ata duhet të sigurohen që ngarkesa që po transportojnë të shoqërohet me dokumentet përkatëse, ose në të kundërt, ata mund të kthehen mbrapsht në port. Disa produkte britanike, si bagëtitë, mund të duhet që të inspektohen nga persona të caktuar të BE-së pas hyrjes në tregun e vetëm. Vonesat në kufi apo kthesat mbrapsht të kamionëve mund të shkatërrojnë produkte të caktuara sidomos nëse ato janë delikate si në rastin e luleve.
Matthijs Mesken nga VGB, e cila përfaqëson eksportuesit dhe tregtarët holandezë me shumicë, shprehet se vlera e luleve dhe bimëve që transportohen çdo vit në Britani nga Holanda është rreth 825 milionë euro (930 milionë dollarë). Çështja e Brexit është një prej faktorëve kryesorë që ndikon në “rritjen e pasigurisë”, e cila sipas fjalëve të kreut të Bankës Qendrore Europiane (BQE), Mario Draghi, ka mbuluar me një re të zezë horizontin ekonomik të Eurozonës.
Në një studim të vitit 2018 të kryer nga FMN-ja u zbulua se ekonomia e Britanisë vazhdon të ketë lidhje të forta me pjesën tjetër të BE-së, të cilat fillimisht u forcuan shumë kryesisht pas krizës financiare të 2007-‘08. Nëse këto lidhje do të prishen, efektet më të rënda padyshim do të ndihen në Britani. Por Britania nuk do të jetë e vetmja që do të ketë pasoja nga dalja e saj nga BE-ja.
Edhe disa prej ekonomive të vogla të Europës janë të rrezikuara. Disa prej shteteve me lidhje të ngushta tregtare me Britaninë përfshijnë Belgjikën, Irlandën dhe Holandën. Sipas FMN-së, eksportet e mallrave dhe shërbimeve të Irlandës në Britani përbënë rreth 15% të PBB-së së saj në periudhën 2014-‘16, ndërsa ato të Belgjikës dhe Holandës afërisht në 10% të PBB-së. Secili prej këtyre shteteve mbështetet shumë në importet që vijnë nga Britania.
Irlanda dhe Holanda kanë edhe lidhje të tjera me Britaninë. Falë historisë dhe gjeografisë, flukset e emigrantëve midis Irlandës dhe Britanisë kanë qenë të larta, pothuajse të barabarta me një të pestën e popullsisë së Irlandës. (Edhe Malta dhe Qipro, të cilat kanë lidhje historike me Britaninë, kanë regjistruar flukse të larta të emigrantëve në krahasim me madhësinë e tyre).
Holanda është një prej investitorëve më të mëdhenj në biznesin britanik: stoku i saj i Investimeve të Huaja Direkte në vend ishte i barabartë me një mesatare prej pothuajse 80% të PBB-së holandeze në 2014-‘16. Firmat financiare irlandeze dhe holandeze kanë ekspozime relativisht të larta ndaj huamarrësve britanikë. Sipas analizës nga S&P Global, një agjenci e vlerësimit të kredive, edhe Luksemburgu ka gjithashtu lidhje të ngushta tregtare me Britaninë.
Shtetet më të mëdha janë më të izoluara, por disa sektorë janë ende të ekspozuar. Sipas një studimi të kryer nga Hans-Ulrich Brautzsch dhe Oliver Holtemöller në Institutin e Kërkimeve Ekonomike, u zbulua se 15,000 vende pune në Gjermani, rreth 1% e punësimit në industrinë e saj të automobilave, varen drejtpërdrejti ose tërthorazi nga eksportet në Britani.
Sipas analistëve e S&P Global, Spanja është më e ekspozuar nëpërmjet pronësisë së saj të bankave, Telekomit dhe firmave të sigurimeve në Britani. FMN vlerëson se ndikimi afatgjatë i Brexit në 27 shtetet e BE do të ishte modest, nëse do të arrihej një marrëveshje. Por disa vende mund të vuajnë ende.
Sipas Fondit, nëse Britania do të nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, prodhimi në Irlandë do të shënonte një rënie me 2.5%, ndërsa në Belgjikë dhe Holandë nga 0.5-0.7%. Nëse Britania do të dilte nga BE-ja pa arritur të nënshkruajë asnjë marrëveshje, atëherë humbjet pothuajse do të dyfishoheshin. Si anëtarë të vegjël të një bashkimi monetar, këto vende nuk mund të presin që Banka Qendrore Europiane të vijë dhe t’i shpëtojë ato. Në vend të kësaj, qeveritë e tyre duhet të përpiqen që të nxisin ekonomitë e tyre.
Irlanda dhe Holanda kanë hapësirën fiskale për ta zvogëluar goditjen, por Belgjika, me një raport të borxhit publik prej rreth 100% të PBB-së, ka më pak hapësirë për të vepruar. Prandaj tani për tani, fokusi kryesor do të jetë në minimizimin e përçarjes afatshkurtër. Irlanda u ka premtuar fermerëve të saj se do t’i ndihmojë ata në rast të daljes së Britanisë nga BE-ja pa nënshkrimin e asnjë marrëveshjeje. Në Roterdam, autoritetet portuale kanë në plan të zgjerojë sistemin elektronik për menaxhimin dhe ruajtjen e dokumenteve për importet jashtë BE-së, për të përfshirë këtu edhe eksportet nga Britania.
Qindra oficerë doganierë janë punësuar për këtë arsye. Kamionët që do të mbërrijnë pa pasur dokumentacionin e duhur, do të drejtohen në hapësirat e parashikuara të parkimit, derisa situata të qartësohet, shprehet Leon Willems nga autoriteti portual. Qartësia në planet e Britanisë do të ndihmonte në drejtim të përgatitjeve, megjithatë, sipas z. Willems për momentin kjo duket e pamundur.