Militantë të opozitës kanë sulmuar me bomba molotov kordonin e Policisë dhe godinën e Këshillit të Ministrave dhe Kryesisë së Kuvendit.
Raportohet për disa policë të plagosur ndërsa kordoni i sigurisë është çarë.
Protestuesit kaluan kordonin e policisë dhe i’u afruan derës së kryeministrisë, ndërkohë që njëri prej tyre rrezikoi jetën, pasi afër tij u hodh një bombë molotov, e rrobat e tij morën flakë.
Policia reagoi e hodhi gaz lotsjellës, e turma u shpërnda. Situata e tensionuar vazhdon.
Pas sulmit me bomba molotv ndaj policisë dhe godinave të Kryeministrisë e Kuvendit, ka reaguar edhe ministri Sandër Lleshaj.
Përmes Twitter, ministri i Punëve të Brendshme fton qytetarët të distancohen nga këto akte.
“Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!” – shkruan Lleshaj.
Me tej, protestuesit kanë ndjekur kreun e PD-së Lulzim Basha duke u vendosur para Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e Sait Dollapit, sekretar organizativ i Partisë Demokratike.
Ata kanë hedhur mjete të tjera piroteknike, fishekzjarrë, molotov. Policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që vazhdojnë të qëndrojnë tek policia.
Basha tha se Sait Dollapi është dhunuar dhe ndaluar me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj duke kërkuar lirimin e tij.