Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai nuk do ta pajtohet asnjëherë që Kosova të fitojë ulëse në OKB dhe se nuk i shkon në mendje ta nënshkruajë kapitullimin e Serbisë, duke dalë edhe një herë kundër propozimit evropian, ndonëse në parim e kishte pranuar atë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
“Jam pothuajse i sigurt se Albin Kurti është i vendosur të mos bëjë Acociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe se ka të lehtë ta kundërshtojë këtë e tregon edhe vendimi i sotëm për heqjen e regjimit të vizave. Do të duhej t’i gëzoheshim atij vendimi por momenti në të cilin kjo po ndodh tregon se ky është një inkurajim për Kurtin që të vazhdojë me mospërmbushjen e obligimeve”, ka theksuar Vuçiq.
Presidenti serb tutje ka thënë se njerëzit në vendin e tij duhet ta kuptojnë momentin në të cilën ndodhen, pasi sipas tij “nuk janë as dhjetë metra hapësirë në të cilën mund të kalosh pa e pasur në rrethinë NATO-n”.
Ai tutje ka thënë se ndezja e luftës në Ukrainë i ka ndryshuar gjërat, por që sipas tij “serbëve u pëlqen të bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë”. Vuçiq theksoi se nuk do të nënshkruajë kapitullimin e Serbisë, por vuri në pah se ‘duhet ditur se cilat janë rrethanat aktuale’.
“Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë. Nuk do të ketë kapitullim dhe dorëzim. Ua kam bërë të qartë se Serbia nuk do të pajtohet për hyrjen e Kosovës në OKB dhe nuk do ta njohë atë në asnjë mënyrë”, ka shtuar ai në një intervistë në televizionet serbe.
Ai në fund ka thënë se duhet serbët duhet t’i afrohen pajtimit me shqiptarët, porse është shprehur pesimist se do të ndodhë kjo për shkak se në anën tjetër të tavolinës së dialogut e ka përballë Kurtin.