Në një bashkëbisedim me gazetarët, siç bëri më herët gjatë kësaj të diele edhe kryeministri Edi Rama, kreu i PD-së, Lulzim Basha foli për atë që e quajti natë dramatike, duke iu referuar protestës së katërt madhore të opozitës, që u shoqërua me akte të pazakonta dhune.
“Nata e mbrëmshme ishte një natë dramatike, kulmim i një krize nga më të thellat dhe që prek aspektet më të ndjeshme në jetën e qytetarëve shqiptarë. Nga aspekti ekonomik, te pasiguria për të nesërmen, që burojnë nga asgjësimi i sigurisë juridike, barazia përpara ligjeve, apo pandëshkueshmëria e autoriteteve që duhet të veprojnë për sundimin e rendit dhe të ligjit. Pasiguri jo vetëm për qytetarët që dalin rrugëve, apo duan të konsumojnë një kafe në barin e lagjes, por edhe pasiguri për vendin e punës. Gjithçka e përmbledhur në një krizë ku pasiguria është ulur këmbëkryq në të gjitha fushat”, tha Basha.
Sipas kreut të demokratëve, dje qytetarët shqiptarë u “bombarduan” nga gazi lotsjellës i sunduesve prej 6 vitesh të këtij vendi.
“Gjithçka ka humbur për një arsye të thjeshtë, sepse prej 6 vitesh vendi nuk qeveriset por sundohet nga disa persona që janë atje tërësisht jashtë vullnetit të popullit. Fati i tyre nuk është në dorën e ligjit. Kjo ndjenjë mori forma dramatike mbrëmjen e kaluar, ku protestues të ardhur nga i gjithë vendi për t’i kthyer Shqipërisë normalitetin dhe për t’u bërë një shoqëri e ngjashme me ato europiane, u përballën me përgjigjen e një junte kriminale ndaj protestuesve dhe gjithë qytetarëve dhe banorëve të qendrës së Tiranës, që dje morën në shtëpitë e tyre doza të shumta të gazit helmues dhe gazit lotsjellës, që u përdorën kundër qytetarëve që kishin dalë në të drejtën e tyre për të protestuar kundër një qeverie të dalë nga vota e deformuar e qytetarëve”, deklaroi më tej Basha.