Kryeministri Edi Rama në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Athinë, mori pjesë në forumin ekonomik organizuar nga “DELPHI Economic Forum” për Shqipërinë, arritjet, mundësitë dhe sfidat.
Gjatë këtij forumi, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u theksua se, zhvillimi i shpejtë i infrastrukturës në sektorë si energjia, telekomunikacioni, rrugët dhe autostradat, transporti detar dhe ajror, e ka bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet e huaja, ndërsa Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar i vendit tonë.
Aktualisht në vendin tonë operojnë rreth 760 biznese greke, por autoritetet vlerësojnë se, ka ende potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe Shqipëria paraqet për kompanitë greke një treg potencial për të zgjeruar investimet e tyre, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Në vitet e fundit, interesi më i madh i kompanive greke për të investuar në Shqipëri është fokusuar në sektorin e energjisë, me investime në prodhimin e paneleve fotovoltaike, si dhe në funksionimin dhe prodhimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
Vitet e fundit Shqipëria është e përfshirë në një sërë nismash rajonale, një prej të cilave është “Procesi i Berlinit”, të cilat synojnë të krijojnë një treg të përbashkët rajonal në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në këtë kuadër, Shqipëria përbën një destinacion potencial për të bërë biznes jo vetëm për tregun e saj të brendshëm, por për një treg rajonal të përbërë nga mbi 16 milionë konsumatorë.