Sot mbushen 24 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi. Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Gjatë dhjetë javëve të konfliktit, avionët e NATO-s fluturuan mbi 38,000 misione luftarake.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, shprehej në atë kohë presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës. Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.
Ambasadori amerikan në Beograd Chris Hill ka ngushëlluar serbët për humbjet e jetëve gjatë bombardimeve të NATO-s që nisën më 24 Mars të 24 viteve më parë.
“E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, dhe as nuk duhet që ta harrojë. Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se ai është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat për padrejtësi. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë. Së bashku, ne mund të ndërtojmë të ardhmen më të mirë që populli serb e meriton dhe dëshiron në breza.“
Bombardimi iu NATO-s ndonëse pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, zgjati 78 ditë. U vranë 1100 pjesëtarë të ushtrisë dhe policise serbe.
Vlerësohet se rreth 2500 civilë vdiqën, megjithëse lista e saktë e viktimave ende nuk është përcaktuar. 25,000 ndërtesa banimi u shkatërruan dhe u dëmtuan nga bombardimet. U shkatërruan aeroporte, ura, rrugë, impiante industriale, spitale, shkolla, monumente kulture, objekte ushtarake. Vlerësohet se dëmi ekonomik është 100 miliardë dollarë. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s përfundoi më 10 Qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike në Kumanovë