Presidenti Bajram Begaj deklaroi sot se “vizita e presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen në Tiranë është dëshmi e angazhimit serioz të Austrisë në procesin integrues të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor si një vend me arritje të shumta në këtë rajon me vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm që rajoni ynë të jetë pjesë e familjes evropiane”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun austriak, Begaj tha se “kjo vizitë është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një rëndësie të veçantë. Austria është partner dhe mik historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndamë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-austriake përjetojnë një klimë të mirë bashkëpunimi dhe se dialogu politik është intensifikuar përfshirë nivelin e vizitave”.
Kreu i Shtetit tha se, “e informova presidentin austriak për përparimin e bërë në zbatimin e reformave në integrimin evropian dhe të rezultateve konkrete në plotësimin e kritereve në këtë drejtim. I konfirmova vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me ritme të shpejta angazhimin për të përmbushur të gjitha detyrimet si një vend kandidat për anëtar në BE”.
“E sigurova që Shqipëria mbetet e dedikuar në të gjithë nivelet për rezultate të dukshme në reformën në drejtësi. Brenda kompetencave kushtetuese mbetem tërësisht i angazhuar për mbështetjen e ecurisë së reformës në drejtësi që të gjitha institucionet e larta të drejtësisë të arrijnë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, që Shqipëria të forcojë shtetin e të drejtës , garant të cilësisë së demokracisë dhe një sistem drejtësie që gëzon besimin e plotë të shtetasve tanë dhe respekt ndërkombëtar”, nënvizoi Begaj.
Presidenti Begaj tha gjithashtu se “i shpreha mirënjohje për mbështetjen që Austria i ka dhënë vendit tonë për reformën në sistemin e drejtësisë në kuadër të programit EURALIUS nëpërmjet Agjencisë Austriake për zhvillim, Austria do të vijojmë mbështetjen për zhvillimin e këtij aktiviteti. Ndamë bindjen se ekzistojnë mundësi të shumta për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve.
Biseda jonë, natyrisht, kishte në vëmendje çështjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë”.
“I përcolla presidentit Van der Bellen vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ku përfshihet mbështetja politike, ekonomike, infrastrukturore e mbi të gjitha mbështetja për reformën në drejtësi. Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm aktiv në mbështetjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë; veçanërisht për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, e cila përfaqëson një hap të rëndësishëm në kuadrin e avancimit të bisedimeve për integrim evropian midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”, tha Begaj.
Në këtë kontekst, shtoi Begaj, kjo vizitë është gjithashtu, një dëshmi e mëtejshme e angazhimit serioz të Austrisë në proceset integruese të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, si një vend me lidhje të shumta me këtë rajon, me vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm që rajoni ynë të jetë pjesë e familjes evropiane.
Duke folur për Kosovën, Begaj tha se, “shumë e rëndësishme është mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.
Presidenti Begaj u shpreh se, “vlerësova praninë dhe kontributin e investitorëve austriakë në Shqipëri, në sektorë mjaft të rëndësishëm të ekonomisë me rendësi strategjike si në sektorin bankar, fushën e sigurimeve dhe në sektorin e energjisë si atë të rinovueshme ashtu dhe të energjisë hidrike”.
“Gjatë takimit, konfirmuam gatishmërinë për të përfocuar bashkëpunimin edhe në fushën e mbrojtjes, të rendit e sigurisë, përsa i përket sfidave në lidhje me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krimit kibernetik e trafiqeve të paligjshme”, tha Begaj.