Rusia kritikoi të martën Armeninë për planet e saj për t’u bashkuar me Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), pas urdhër arrestit të fundit që GJNP-ja lëshoi për Presidentin rus, Vladimir Putin dhe komisioneren presidenciale ruse për të drejtat e fëmijëve.
Duke i quajtur qëllimet e Jerevanit “absolutisht të papranueshme”, Ministria e Jashtme e Rusisë i tha agjencisë së lajmeve TASS se pala armene ishte paralajmëruar “për pasojat jashtëzakonisht negative” që një veprim i tillë mund të shkaktonte në marrëdhëniet dypalëshe.
Gjykata Kushtetuese e Armenisë publikoi një vendim të premten se Statuti i Romës ishte në përputhje me ligjin bazë të vendit. Vendimi ka qenë përfundimtar dhe ka hyrë në fuqi me publikimin e tij.
Më 17 mars, GJNP-ja lëshoi urdhër arresti për Presidentin rus, Vladimir Putin dhe komisioneren presidenciale ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, me akuzën e “deportimit të paligjshëm” të fëmijëve ukrainas.
Duke komentuar këtë vendim, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska nuk e njeh juridiksionin e GJNP-së.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se urdhër-arrestet ishin ligjërisht “të pavlefshme” pasi Moska nuk është nënshkruese e Statutit të Romës.