Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik që dolën sot para trupit gjykues në Gjykatën e Posaçme me seli në Hagë, thanë se ndjehen të pafajshëm për dhjetë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Prokuroria e Posaçme në Hagë thotë se krimet e pretenduara janë kryer në periudhën nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 dhe kanë ndodhur në disa zonë anembanë Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut.
Sipas prokurorisë krimet dyshohet se janë kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk ishin të përfshirë në luftime. Prokuroria pretendon se viktimat, rreth 100 syresh shumica janë shqiptarë, por ka edhe serbë dhe romë të Kosovës.
“Përse të akuzuarit i kryen këto krime? Provat do të dëshmojnë se ishte për të fituar pushtet. Pushtet në luftë dhe pushtet përbrenda Kosovës ndaj atyre që hamendësoheshin si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata gjithashtu mund t’i kenë kryer krimet nga frika se kauza e tyre do të dëmtohej nga ata që i konsideronin kundërshtarë”, tha ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Alex Whiting.
Njëri pas tjetrit të pyetur nga gjykata, të akuzuarit hodhën poshtë pretendimet e prokurorisë dukë u deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Akuzat e ngritura prej saj kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999. Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Shumë shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore por edhe nga Kosova u mblodhën të hënën në qendër të Hagës për të mbështetur të akuzuarit dhe për të kërkuar lirimin e tyre. Në parullat që mbanin ata thuhej se po gjykohet lufta për liri e popullit shqiptar.
Deri më tani Gjykata e Posaçme dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Aktualisht është në proces e sipër gjyqi kundër ish pjesëtarit të kësaj ushtrie Pjetër Shala.
Kryeprokurori tha se frikësimi i dëshmitarëve pjesë e arsyes përse kjo gjykatë u vendos në Hagë, duke nënvizuar se edhe sot e kësaj dite personat që bashkëpunojnë me Gjykatën e Posaçme cilësohen si tradhtarë.
Vitin e kaluar Gjykata e Posacme dënoi dy ish udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.
Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Por kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme.
Gjyqi i sotëm është rasti i profilit më të lartë në këtë gjykatë. Katër të akuzuarit ishin drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pas luftës u shndërruan në politikanë të rëndësishëm.
Zoti Thaçi i cili shërbeu si kryeministër dhe president i Kosovës, post nga i cili dha dorëheqje për t’u përballur e akuzat në Hagë, ishte në krye të zhvillimeve që lidhen me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjeve për një zgjidhje afatgjate të mosmarrëveshjeve me Serbinë e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.