Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe ministrja e Mbrojtjes së Sipërmarrjes, Edona Bilali ishin sot në Tetovë, Maqedoni e Veriut, ku morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurë themelit të Korridorit 8, një nga projektet infrastrukturore me rëndësi gjeostrategjike për të dy vendet dhe jo vetëm.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali tha se, “autostrada me 6 korsi, nga Kumanova e Shkupi, Tetova e Gostivari, Kërçova e Struga, deri në Tiranë, Durrës e Vlorë do ta ridimensionojë dhe fuqizojë edhe më shumë bashkëpunimin kombëtar dhe mes vendeve të rajonit”.
“Nisja e punës për një vepër infrastrukturore të këtyre përmasave, shënoi edhe ditën kur kufijtë do të shërbejnë si pikëtakime dhe jo si pengesa për të ardhmen e përbashkët”, theksoi Spiropali.
Ndërsa ministrja Bilali u shpreh se, “korridori i 8-të është një ndër investimet më të mëdha kapitale në Maqedoninë e Veriut të dekadave të fundit që lidh Maqedoninë e Veriut (Tetovën) me Shqipërinë (Qafë Thanë)”.
“Në përfundim të projektit, Tetovë-Tiranë do të jenë më pranë njëra-tjetrës në më pak se dy orë. Rruga e re ndër të tjera do të shërbejë edhe si një mjet më shumë komunikimi e bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona”, tha Bilali.