Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës solli vendim të shkallës së parë për rastin në lidhje me blerjen e 100 respiratorëve për Qeverinë e BeH-së në shumën prej 10.5 milionë marka (mbi 5.3 milionë euro) dhe shpalli fajtor të akuzuarin e parë, kryeministrin e Federatës së BeH-së, Fadil Novaliq, drejtorin e suspenduar të Administratës Federale të Mbrojtjes Civile, Fahrudin Solak dhe pronarin e “Srebrena Malina” (Mjedër argjendi) Fikret Hoxhiq.
Ministrja e Financave e Qeverisë së Federatës së BeH-së, Jelka Miliçeviq, po ashtu një nga të pandehurat në këtë rast, është shpallur e pafajshme. Me vendim të shkallës së parë, Novaliq u dënua me 4 vjet burg, Hoxhiç me 5 dhe Solak me 6 vjet burg.
Akuza kishte të bënte me shpërdorim detyre dhe pakujdesi gjatë importimit të respiratorëve me vlerë 10.5 milionë markave konvertibile gjatë pandemisë së COVID-19.
Novaliq, Solak dhe Hoxhiq akuzohen për shoqërim për kryerjen e veprave penale të lidhura me veprat e “shpërdorimit të pozitës ose autoritetit, marrjes së shpërblimit ose forma tjera përfitimi për shitje me ndikim, pastrim parash, falsifikim apo shkatërrim të librave ose dokumenteve të biznesit ose tregtimit, falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe shkelje e detyrimit për mbajtjen e librave tregtarë ose afarist dhe përpilimin e raporteve financiare dhe falsifikimin ose asgjësimin e tyre”, ndërsa Miliçeviq akuzohej për punë të pakujdesshme në shërbim.
Të pandehurit akuzoheshin për kryerjen e veprave penale të lartpërmendura në lidhje me blerjen e 100 respiratorëve me vlerë 5.36 milionë euro dhe pajisjeve mbrojtëse me vlerë rreth 1.48 milionë euro për nevoja të luftës kundër COVID-19 në BeH menjëherë pas shpalljes të gjendjes së jashtëzakonshme.