Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij sot para trupit gjykues në Hagë deklaroi se nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në asnjë vrasje apo në ndonjë politikë tjetër kriminale.
Ish-kryeparlamentari, Krasniqi tha se nuk e kupton logjikën e akuzës kundër tij.
Ai tha se këtë fjalim para trupit gjykues po e bënë jo për të mbrojtur vetveten nga njollosja që i bëhet nga akuza e ZPS-së, por për të ndriçuar atë që tregon pafajësinë e tij.
“Unë nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme kundër meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura e dëbime, unë e urrej dhunën, vrasjet, burgosjet, torturat dënimet jo vetëm pse janë ushtuar ndaj popullit tonë dhe meje personalisht por sepse i konsideroj si tejet të ulëta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën do të thotë se unë, Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë. Integriteti im intelektual dhe njerëzor me ka mundësuar të kem të qartë se cilat mjete duhet përdoren për realizimin e çlirimit kombëtar në luftë kundër atyre që përpiluan dhe zbatuan gjenocid ndaj nesh”, tha ai.
Krasniqi gjatë fjalës së tij në Hagë sot ka folur edhe për angazhimin e tij në LDK, ku ka mohuar pretendimet e ZPS-së për persekutimin e anëtarëve të kësaj partie, teksa ka përmendur angazhimin e vëllait dhe mbesës së tij në LDK.
“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së ose si pjesë e një qëllimi të përbashkët për të sulmuar LDK-në. Unë vetë isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendje e çoroditur mund të mendojë se kam qenë pjesë e persekutimit të familjarëve të mi dhe bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të mijë”, ka thënë ai.
Krasniqi tha se në qershor të vitit 1998 iu propozua të dal publikisht si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për ta marr këtë rol nuk kishte hezituar.
Ai tha se deklaratat e tij si zëdhënës i UÇK-së duhet të shihen në funksion të propagandës për të afirmuar luftën çlirimtare.
“Në qershor e vitit 1998 më është propozuar që të dal publikisht si zëdhënës i UÇK-së. Nuk hezitova për asnjë moment që të marr përsipër një detyrë të tillë dhe pse rreziku ishte i madh, isha krejtësisht i vetëdijshëm se paraqitja ime publike, identiteti im si zëdhënës i UÇK-së do të vendoste edhe familjen time në rrezik. Dalja ime publike familjen time e kishte bërë target për të shkatërruar siç ishte në rrezik edhe çdo familje në Kosovë… Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të krijoj përshtypjet se jemi një strukturë e organizuar mirë sepse kjo ishte mënyra e vetme për të mbajtur gjallë shpresat për një rezistencë të mirëfilltë, prandaj deklaratat e mija duhet të shihen në funksion të propagandës për të afirmuar luftën tonë çlirimtare. Përtej aspiratave për bashkim kombëtar, ne gjithmonë i kemi dëshiruar deklaratat e kësaj natyre. Gjatë luftës ishin në funksion të ngjalljes së shpresave se bashkimi me Shqipërinë do të rriste gjasat për fitore”, u shpreh Krasniqi.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi para trupit gjykues u shpreh se aktakuza e ZPS-së e ka lënduar më shumë se sa torturat mizore që përjetoi nga regjimi serb.
Ai tha se edhe pretendimet për trafikim organesh u hodhën poshtë.
“Nëse në rrugëtimin tim politik ka një gjë që nuk ka logjikë është aktakuza e ngritur nga ZPS. Mbajtja e akuzës më ka lënduar më shumë sesa torturat mizore dhe dënimi me burg nga regjimi serb dhe jugosllavë. Preteksti për këtë aktakuzë u gjet në librin e Carleden Pontes dhe të ashtu quajturin raportin e Dick Martyt për gjoja trafikim organet nga ana e UÇK, pas hetimit disavjeçare nga task-forca e EULEX-it në krye me Clin Ëilliamson… nuk u gjet asnjë provë e vetme. Rrjedhimisht, një akuzim i tillë nuk është pjesë e akuzës së ZPS-së”, u shpreh Krasniqi.
Në fjalën e tij hyrëse para Speciales, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, u shpreh se kurrë nuk ka qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit, dhe se asnjëherë në jetën e tij nuk ka kryer ndonjë vepër penale.
“Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit. Kjo është arsyeja se pse kam qenë rehat në ndërgjegjen time njerëzore, kam jetuar një jetë me dinjitet dhe dua të vdes me dinjitet. Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, as gjatë luftës e as pas luftës. Asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në vepra kriminale as me veprim as me mosveprim dhe as me nxitje. Gjithmonë kam qenë dhe kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar. Kam qenë dhe jam krenar për veprimtarinë time politike si në të kaluarën edhe sot jam ballëhapur para çdo njeriu”, u shpreh ai.
Ish-kryekuvendari Krasniqi pati lutje për trupin gjykues në Hagë që të mos të lejojnë të keqpërdoren opinionet e tij, komunikatat dhe librat e tij të cilat po përdoren si dëshmi nga ZPS-ja.
Ai tha se shënimet e tij ZPS-ja i ka keqpërdorur skajshmërisht.
“Mos lejoni që të keqpërdoren mendimet dhe opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës, kërkesa e dytë mos lejoni që shënime e mija përshkrimet e librave të mija shkencore dhe publicistike të përdoren si dëshmi për vepër penale siç pretendon ZPS-ja. Dhe e treta për komunikatat… komunikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe autoritetin e saj me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin… Iu lus që materialet të mos keqpërdoren, se unë mendoj ,shënimet e mija përshkruar në libër prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht”, u shpreh ai.
Gjatë këtij fjalimi ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi ka treguar për torturat dhe krimet që ka përjetuar populli i Kosovës, ai dhe familja e tij nga regjimi serb.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme gjyqësore në Hagë mbante kravatën me simbolin e shqiponjës, të flamurit kombëtar kuq e zi.
E gjatë ditës së sotme në Hagë fjalën hyrëse e ka thënë edhe mbrojtja e Krasniqit. Ndërsa, gjatë ditës së djeshme deklaratat hyrëse i kanë thënë edhe mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ajo e ish-deputetit Rexhep Selimi. Gjithashtu nga një deklaratë pa betim, të martën e ka dhënë edhe ish-presidenti Thaçi dhe ish-deputeti Selimi.
Ndërsa, të hënën para trupit gjykues në Gjykatën Speciale deklaratën hyrëse e ka dhënë edhe ZPS-ja.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KosovaPress/