Bisedimet midis ndihmës ministrave të jashtëm të Sirisë, Rusisë, Iranit dhe Turqisë nisën në Moskë të martën në prani të kryediplomatit rus, Sergey Lavrov, si pjesë e një përpjekjeje të udhëhequr nga Kremlini për të pajtuar Ankaranë dhe Damaskun, shkruan Al-Monitor
Rezultati i bisedimeve mbeti i paqartë deri në kohën e publikimit të këtij artikulli. Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad ka kushtëzuar paqen me Ankaranë me tërheqjen e trupave turke nga zona të mëdha të Sirisë veriore, pjesë të së cilës Turqia administron bashkërisht me aleatët e saj rebelë sunitë. Turqia gjithashtu ka trupa në Idlib, i cili është nën kontrollin e degës së Al-Kaedës Hayat Tahrir Sham, në përputhje me Marrëveshjet e Astanës të nënshkruara me Rusinë dhe Iranin.
Dihet se Assad heziton të përballet me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili për vite me radhë mbështeti rebelët sunitë që kërkonin ta përmbysnin atë në mënyrë të përgjakshme derisa Rusia ndërhyri në Siri në vitin 2015 dhe e detyroi Ankaranë të hiqte dorë nga planet e saj për ndryshimin e regjimit.
Pikëpamjet e tij u përsëritën nga kreu i delegacionit sirian, ndihmës ministri i Jashtëm dhe Emigrantë Ayman Sousan, i cili u citua përpara takimit të së martës nga agjencia zyrtare e lajmeve e Sirisë, SANA, duke thënë se njoftimi zyrtar dhe i qartë i Turqisë se do të tërheqë të gjitha forcat e saj është “Porta për të rivendosur komunikimin midis dy palëve.”
Plani fillimisht ishte që ministrat e jashtëm të takoheshin, siç tregoi Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i cili tha se mund të takohej me homologun e tij sirian Faisal Mekdad në fillim të shkurtit.
Një takim i mëparshëm midis ministrave të mbrojtjes dhe shefave të inteligjencës turke dhe siriane në dhjetor shënoi takimin e nivelit më të lartë midis palëve që nga fillimi i konfliktit civil të Sirisë në 2011.
/Argumentum.al