SHBA, BM Shqipëria dhe Malta u larguan nga salla e një takimi jozyrtar, kur një e dërguar e Rusisë për të drejtat e fëmijëve, të cilën Gjykata Ndërkombëtare Penale kërkon ta arrestojë me akuzën për krime lufte, mori fjalën, sipas Reuters.
BM dhe SHBA bllokuan takimin jozyrtar për Ukrainën, të thirrur nga Rusia për t’u fokusuar në evakuimin e fëmijëve nga zonat e konfliktit.
Diplomatët u larguan nga salla e konferencave të OKB-së ku po zhvillohej diskutimi teksa fliste komisionerja ruse, Maria Lvova-Belova.
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, u tha gazetarëve se SHBA iu bashkua BM në bllokimin e transmetimit në internet në mënyrë që Lvova-Belova të mos kishte “një podium ndërkombëtar për të përhapur dezinformata dhe për t’u përpjekur të mbronte veprimet e saj të tmerrshme që po ndodhin në Ukrainë”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale muajin e kaluar lëshoi një urdhër arresti kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe Lvova-Belova, duke i akuzuar ata për deportim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina dhe transferim të paligjshëm të njerëzve në Rusi nga Ukraina që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt 2022.
Moska tha se urdhrat ishin ligjërisht të pavlefshëm, pasi Rusia nuk ishte nënshkruese e traktatit që themeloi ICC-në.
Moska nuk ka fshehur një program sipas të cilit ka sjellë mijëra fëmijë ukrainas në Rusi, por e paraqet atë si një fushatë humanitare për të mbrojtur jetimët dhe fëmijët e braktisur në zonën e luftës.
“Rusia pretendon se po i mbron këta fëmijë. Në vend të kësaj, kjo është një politikë e llogaritur që synon të fshijë identitetin dhe shtetësinë ukrainase”, i tha takimit diplomatja britanike Asima Ghazi-Bouillon.
Ndërkohë, sipas një tuiteri të misionit kanadez në OKB, 50 shtete kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët për çështjen në fjalë.
Në të thuhet:
”Sot, Federata Ruse, do të abuzojë më tej me pushtetin dhe privilegjet e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të shpërndarë dezinformim për rrëmbimin dhe deportimin e jashtëligjshëm me forcë të mijëra fëmijëve ukrainas.
Burime të shumta të besueshme, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare Penale, Komisionin Ndërkombëtar Hetimor në Ukrainë, institucionet akademike, organizata të besuara mediatike dhe organizata të pavarura jo qeveritare, të gjitha kanë tërhequr vëmendjen për deportimin e jashtëligjshëm me forcë të fëmijëve nga Ukraina drejt Federatës Ruse.
Këto akte të dënueshme kanë ndodhur në kontekstin e pushtimit dhe luftës së jashtëligjshme të FederatësRrusë kundër Ukrainës, që ne e dënojmë me forcë.
Federata Ruse do të përpiqet që veprimet e saj në Ukrainë t’i prezantojë si në përputhje me ligjet ndërkombëtare, të drejtave të fëmijëve dhe Axhendën e Fëmijëve dhe Konflikteve të Armatosura. Kjo është shumë larg të vërtetës.
Faktet janë të qarta:
- Autoritetet ruse kanë marrë në pyetje, ndaluar dhe deportuar me forcë mbi 19,500 fëmijë ukrainas nga shtëpitë e tyre, nga Ukraina drejt Rusisë. Kjo përfshin ndarjen e qëllimshme të fëmijëve nga prindërit e tyre dhe rrëmbimin e fëmijëve nga jetimore, duke i vendosur më pas për adoptim në Rusi.
- Komisioni Ndërkombëtar i Pavarur në Ukrainë ka përcaktuar se transferimi dhe deportimi i fëmijëve nga Ukraina në Federatën Ruse, dhunon ligjet ndërkombëtare humanitare dhe konsiderohet krim lufte.
- Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin dhe Komisionerja e presidentit për të Drejtat e Njeriut, Maria Lvova-Beloa janë të dy subjekt i urdhërarresteve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, për krimet e luftës të deportimit të jashtëligjshëm të fëmijëve dhe transferimit të jashtëligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara në Ukrainë drejt Federatës Ruse.
Ne dënojmë me forcë veprimet e Federatës Ruse në Ukrainë, përfshirë dhe në veçanti deportimin me forcë të fëmijëve ukrainas, ashtu sikurse edhe shkeljet e tjera të rënda kundër fëmijëve të kryera nga forcat ruse në Ukrainë.
Asnjë dezinformim i përhapur nga Federata Ruse nuk mund ta mohojë të vërtetën për këtë çështje, apo të mbrojë individët nga përgjegjësia për këto krime”./ATA