Besimtarët katolikë kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin e festimeve për besimtarët katolikë.
Pashkët paraprihen nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë që quhen Kreshmë që fillon nga e “Mërkura e Përhime”, dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës. Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit në lutje e agjërim.
Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit, të shtunën besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për bekimin e ushqimit, një tjetër ritual i festës së Pashkëve. Në shportën me ushqime që përmban tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes.
Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
Për festën e Pashkës, besimtaret shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e me pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar. Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Tradita e vezëve ka zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite që simbolizon rilindjen e natyrës në stinën e pranverës.
Në tryezën e kremtimit të Pashkëve nuk mungon mishi i qengjit, një tjetër simbolikë e kësaj feste prej shekujsh. Karakteristikë e kësaj feste është edhe qumështori, ëmbëlsirë tipike pranverore që përgatitet me vezë dhe shoqëruar me hudhra të njoma.
Mesha në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet u mbajt në mesnatë. Besimtarë të shumtë kanë mbushur Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë, e cila drejtohet nga kreu i Kishës Katolike në Shqipëri Imzot Arjan Dodaj. Ne meshën është e pranishme edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Yuri Kim.
Në fjalën e tij para besimtarëve Imzot Arjan Dodaj tha se mesazhi i Krishtit të ringjallur vjen në një moment kur bota ka më shumë nevojë.
‘Falë Krishtit jemi bërë më të fortë sesa nata. Sa shumë dëshirojmë ta ndezim këtë zjarr në natën e errët. Që nxiti korrupsionin, të largimit të të rinjve, dhunën ndaj grave. Sa dëshiroj të ndez një zjarr të ri që të mos kenë një utopi në familje, që të kenë sa më shumë fëmijë e të kenë një shtëpi. Gratë shikojnë tek varri te nxitura nga dashuria për zotin.
Zoti nuk është në varr, as në kujtesë, Zoti është para nesh e na prin me hirin e tij, të aftë që të rilindim. Edhe ne, duke rikujtuar pagëzimin tonë, ripërtërijmë reformat tona pagëzimore. Di, të rifilloj me gjeste shpresës sa themelore që sistemi i jetës politike, drejtësisë, shëndetit dhe arsimit të ketë vetëdijen që përgjegjësia s’është administrative dhe kushtetuese por ndërgjegje.
… Sa fisnike e delikate e kësaj përgjegjësie që ju ka besuar Zoti. Në këtë natë, dritës së vogël, por fitimtare i jemi bashkuar për të ndjekur Jezusin që na paraprin. Në vigjilent e pashkës përjetojmë shpërthimin e britmës plot gëzim se është mundur vdekja.”- tha imzot Arjan Dodaj.
Kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj, ka dhënë paraditen e sotme mesazhin e paqes e shresës për të gjithë besimtarët katolikë. Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj tha se vetëm përmes dashurisë mundet e keqja. Ai u shpreh se Pashkët janë ftesë për një krijimtari të re në mbarë botën, e cila me forcën e Krishtit të Ringjallur, të mund të rigjejë Paqen! Imzot Arjan Dodaj pati edhe një mesazh për të rinjtë.
Sot besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për të marrë bekimin e ushqimeve. Në shportën që do të përmbajë tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon Buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ringjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes. Festimet e Pashkëve nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. Të gjithë mblidhen rreth tryezës nën refrenin e kësaj dite festive që është: “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”.