Kryetari i Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me qytetarët, ku theksoi se, “i kam bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA, FBI, të hetojë aferat korruptive, përfshirë pronat e ambasadores Yuri Kim në Shqipëri”.
Berisha tha se, “kam respekt të madh për Menendez, udhëheqës i Komisionit për Politikën e Jashtme të Senatit të SHBA. Ambasadorja, të cilën unë e quaj guvernatore, ka tejkaluar çdo lloj limiti të mandatit të saj, të normave, të respektit, të sovranitetit të një vendi.
Për shkak të mashtrimeve që ajo i ka bërë qeverisë së saj, ajo ka ndërmarrë akte të dënueshme ndaj drejtësisë shqiptare”.
“Mjafton të kujtoj këtu se prokurorët që ajo ka kapur vazhdimisht me kërkesën staliniste se pse nuk e arrestoni Sali Berishën. Disa prej tyre do kishin dashur t’ia plotësonin atë dëshirë, por kanë marrë përgjigje se nuk rezulton asnjë fakt, asnjë dokument. Por ky është vetëm një aspekt i saj. Aspekt tjetër shumë i rëndë është qëndrimi në aferën McGonigal. Ajo është kokë e këmbë e përzier dhe një kopje me fustan e McGonigal në kuptimin e korrupsionit nga kjo qeveri për të luftuar opozitën në mënyrën më të paprinciptë.
Unë kam zgjedhur të mbroj interesat e publikut shqiptar duke e denoncuar atë në çdo rast. I garantoj se PD është e gatshme të ndihmojë në transparencën e këtij hetimi”, nënvizoi Berisha.
Më tej Berisha u shpreh se, “çështja më themelore që duhet të zgjidhë PD nesër në pushtet është rikthimi i besimit te të rinjtë shqiptarë dhe te shqiptarët në tërësi”.
Në fjalën e tij Berisha tha se, “e ardhmja mund të ndërtohet në Shqipëri dhe se Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri mahnitëse. Nuk ka diskutim se rinia do jetë prioritet i të gjitha prioriteteve. Së pari, një mundësi reale që të shkollohen në të gjitha shkallët e arsimit. Së dyti, një përpjekje e gjithanshme për punësimin e tyre, një sistem kreditimi për strehimin dhe bizneset e tyre, bonuse për sipërmarrësit që punësojnë të rinjtë”.
“Pra, një kompleks masash, të cilat jo vetëm do bëjnë që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria, por kam besim se qindra dhe mijëra të rinj të rikthehen në këtë vend për të ndërtuar të ardhmen e tyre”, shtoi Berisha.
Berisha u shpreh gjithashtu se, qëllimi numër një i PD është rikthimi i të drejtës së shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë.
“Qeveria e Edi Ramës nuk ka legjitimitet. Ai ka humbur që në krijimin e saj. Kjo qeveri u votua mbi sistemin e patronazhistëve dhe makinerinë e grabitjes së votës. Unë ju garantoj se do bëhet gjithçka për t’i shkurtuar jetën qeverisë së Edi Ramës dhe që qytetarët të votojnë të lirë”, tha Berisha.
Sipas tij, edhe në këtë fushatë, Rama po shkel çdo rregull dhe parim të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta.
“Në fund, fatura do t’i shkojë vetëm atij. Ne do të fitojmë”, tha Berisha.