Partia Socialiste e çeli fushatën për zgjedhjet e 14 majit nga sheshi Skënderbej. Aty ndodheshin 61 kandidatët për kryetarë të bashkive të vendit, të cilëve Kryeministri Edi Rama u tha se përse fushata duhet të jetë pa shpenzime, pa zhurmë dhe me sa më shumë komunikim. Paratë e kursyera nga kjo fushatë, Rama tha se do të përdoren për donacion pemësh në çdo bashki të vendit. Nismën e nisi nga Tirana, menjëherë pas fjalës së tij.
“…Shkurtimin e shpenzimeve për propagandë elektorale ne do ta kthejmë në një donacion pemësh për çdo bashki të vendit, duke marrë pjesë edhe vetë në mbjelljen e tyre kudo ku kemi takime, sidomos tani në Prill që është dhe pak a shumë muaji i fundit optimal, për të mbjellë thuajse gjithçka. Dhe do e nisim sot këtu me 61 pemë, nga donacioni ynë për Bashkinë e Tiranës. 61 pemë do të mbjellim këtu për të 61 bashkitë dhe si këtu, kudo ku mbjellim do mbeten mijëra e mijëra të tjera.
Në fjalën e mbajtur, kryeministri Rama u ndal tek arritjet gjatë qeverisjes socialiste në këto 10 vjet dhe ambiciet për të ardhmen, ku sfidë sipas tij mbetet rritja e të ardhurave për frymë.
“Rritja historike e pagave është fryt i mundimit të gjithë atyre që na kanë ndjekur. Është mundi shpërblyes i një kapitulli shpërblyes që do e shkruajmë së bashku. Në këto vite thuajse i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë, nga 3300 që e kemi gjetur 6400 euro ndërsa deri në 2030 të shkojnë në 10 mijë euro për frymë. Ambicia ime është që brenda 2030 të kemi një pagë minimale të paktën 60 mijë lekë”, tha Rama.
Rama nuk kurseu as sulmet ndaj opozitës dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë dallimin mes bashkive që kanë drejtuar socialistët me ato që kanë drejtuar të djathtët. Për kreun e qeverisë PS është ardhmja, e ndërsa Ilir Meta dhe Sali Berisha janë e shkuara që duan të marrin peng Bashkitë për t’u mbrojtur nga drejtësia.
“Duan të marrin peng sa më shumë Bashki, sa më shumë Shqipëri, shqiptarët për, t’u mbrojtur nga drejtësia që vonon, por që ka më pak shans që të harrojë. Unë sot nuk kam asnjë këshillë më të mirë për t’iu dhënë demokratëve për hir të asaj që ishte PD, sesa t’ju them mos e lidhni fatin me qytetet tuaja, fatin e pastrimit, të qendrave shëndetësore, të hapësirave të gjelbrat me dy hije të se kaluarës që rrezikojnë t’ju ndajnë nga treni i zhvillimit kombëtar, t’ju hedhë në erë urat e bashkëpunimit”, shtoi Rama.
Ndërsa fliste për cilësitë e kandidatëve socialist, Rama shigjetoi kandidatin e rithemelimit për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçin, që sipas tij ishte një dhuratë që kundërshtarët i kishin bërë në këtë garë Erion Veliajt.
“Lali Erin e duan të tërë, nuk e duam vetëm ne që vijmë këtu dhe i dhurojmë pemë, Por e duan edhe ata që i dhurojnë rregullisht kandidatin më të lodhur. Madje këtë herë i kanë gjetur një kandidat që duket sikur ka humbur fizarmonikën. Kur thotë se do të bëjë transport publik falas. Mua më duket sikur thotë po ma gjetët firzamonikën unë do iu bëj një xhiro pa lekë”, deklaroi Rama.
Nisja e fushatës së PS u përmbyll me mbjelljen e 61 pemëve në parkun Evropa në sheshin ‘Skenderbej, nga ekipet që shoqëronin 61 kandidatët për kryetarë bashkish
Rama tha se fondet për fushatën zgjedhore që nuk do të jetë e bujshme, do të shkojnë për mbjellje pemësh në të gjithë vendin. Kryesocialisti Rama do të vijojë në të gjitha bashkitë prezantimet e kandidatëve, duke nisur me Durrësin.