62 vjet më parë, më 12 prill 1961, për të pushtuar hapësirën kozmike u nis një qytetar i BRSS, piloti ushtarak, Juri Gagarin, i cili u bë i pari kozmonaut në histori që mundi të kapërcejë gravitetin e tokës.
Më datë 12 prill në Rusi dhe në vendet e tjera të hapësirës postsovjetike festohet Dita e Kozmonautikës. Pjesa tjetër e botës e njeh këtë festë si Dita Ndëkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Kozmos.
Fjalët e tij të famshme “Pojehali” (“Le të shkojmë”) Gagarini i shqiptoi në 09.09 të mëngjesit, sipas orës lokale të Moskës. Pas disa minutave “Vostok-1” doli në orbitë. Gjatë fluturimit kozmonauti raportonte në Tokë për gjendjen e tij shëndetësore, gjendjen e anijes. Gagarini analizoi hapësirën rreth tij, pa planetin dhe yjet, gjithashtu piu dhe hëngri për të provuar funksionet jetësore në hapësirë. Pasi kreu një fluturim rreth Tokës, kozmonauti u ul në rajonin Saratovsk. Fluturimi zgjati 1 orë e 48 minuta.
Me fluturimin e kryer rreth Tokës me anijen “Vostok-1”, Juri Gagarin i hapi njerëzimit një rrugë për në hapësirën e pakufijshme të Universit. Kjo ngjarje ndryshoi historinë botërore dhe forcoi lidershipin e Bashkimit Sovjetik në epokën e ardhshme hapësinore.
Megjithatë, midis arritjeve në eksplorimin e kozmosit, të realizuara nga shkencëtarët dhe kozmonautët sovjetikë e rusë, pati edhe të tjera.
Në vitin 1957 Bashkimi Sovjetik për herë të parë në historinë e njerëzimit lëshoi satelitin e parë artificial të Tokës, “Sputnik-1”.
Në vitin 1963 pilotja sovjetike, Valentina Tereshkova u bë gruaja e parë që fluturoi drejt hapësirës.
Në vitin 1965 qytetari i Bashkimit Sovjetik, Aleksei Leonov, i pari në historinë e njerëzimit realizoi daljen në kozmos të hapur. Ai doli nga anija në një distancë prej pesë metrash dhe qëndroi jashtë saj 12 minuta dhe 9 sekonda.
“Salut-1”, i lëshuar në orbitën e Tokës në vitin 1971, u bë stacioni i parë orbital afatgjat i Tokës në botë. Aparati qëndroi në orbitë 175 ditë duke dëshmuar mundësinë e një fluturimi të kontrolluar afatgjatë rreth planetit.
Në vitin 1998 në orbitë u hodh moduli “Zarya” (ang. Functional Cargo Block), i cili u bë elementi i parë i Stacionit Ndërkombëtar Kozmik (ISS) të ardhshëm.
Në vitin 2019 “Progres MS-11” u bë anija kozmike më e shpejtë në historinë e fluturimit, e cila iu bashkua modulit “Pirs” të ISS vetëm 3 orë e 21 minuta pas nisjes.
Rusia edhe sot zë një vend kryesor midis eksploruesve të hapësirës kozmike, mundësitë e saj në këtë drejtim janë të mëdha. Agjensia Kombëtare Hapësinore “Roskosmos” po zhvillon në mënyrë aktive sistemin “GLONASS”, një nga dy sistemet globale të navigimit satelitor, analog i GPS-it amerikan.
Disa vite më parë shkencëtarët rusë prezantuan motorin e parë në botë bërthamor për fluturime ndërplanetare, i cili do të mundësojë në të ardhmen udhëtime midis planeteve të Sistemit diellor.
“Roskosmos” së bashku me partnerët e tij të huaj merr pjesë në mënyrë aktive në eksplorimin e Hënës, Marsit, Venerës, e cila madje u quajt “planeti rus”, pasi pikërisht studiuesit sovjetikë dhe rusë dhanë kontributin më të madh në studimin e saj.
/Argumentum.al