Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, lidhur me çështjen e delimitimit të shelfit kontinental dhe zonave ekonomike ekskluzive (EEZ) midis Greqisë dhe Shqipërisë, ka shprehur shpresë për “zhvillime të rëndësishme brenda këtij viti”, transmeton Anadolu.
Duke folur për transmetuesin publik ‘ERT’, Dendias tha se qeveria shqiptare po përgatitet të nënshkruajë marrëveshjen dhe t’ia paraqesë atë presidentit për miratim.
Greqia dhe Shqipëria kanë pasur pretendime kontestuese detare në Detin Jon për dekada, me një marrëveshje delimitimi të nënshkruar në vitin 2009 për të zgjidhur këtë çështje.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama, në atë kohë lider i opozitës, e kundërshtoi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, duke argumentuar se ajo i dhuroi Greqisë 225 kilometra katrorë ujëra territoriale shqiptare.
Gjykata ra dakord në vitin 2010, me çka u zgjat mosmarrëveshja që mbetet një burim i vazhdueshëm tensioni midis Athinës dhe Tiranës. Çështja doli sërish në qendër të vëmendjes pasi parlamenti grek në janar të vitit 2021 miratoi një projekt-ligj për të dyfishuar ujërat territoriale të Greqisë në Detin Jon nga gjashtë në 12 milje.
Më tej, duke iu referuar marrëdhënieve turke-greke, Deandias tha se atmosfera aktuale e qetë në këto marrëdhënie nuk do të ketë një “datë skadimi” dhe se “pas zgjedhjeve do t’i rikthehemi një diskutimi serioz për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona”.
Ai paralajmëroi se diskutimet duhet të fillojnë sapo të formohen qeveritë e reja në të dy vendet pas zgjedhjeve për të përfituar nga momenti aktual.
I pyetur nëse diskutimet me Türkiye-n do të ishin në formën e bisedimeve eksploruese, Dendias tha se 63 raundet e mëparshme të bisedimeve të tilla nuk dhanë rezultatet e dëshiruara, duke shtuar se “nëse nuk ka konvergjencë për çështjet kryesore, zgjidhja nuk mund të jepet nga një proces i ndryshëm në çështje të vogla”.
Për mundësinë e kërkimit të zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve mes dy aleatëve të NATO-s përmes një konference shumëpalëshe, ai theksoi se ka shumë pak gjasa për këtë.
Ai gjithashtu tha se një Türkiye e orientuar pro-perëndimore është në interes të çdo pale të interesuar, përfshirë për Greqinë.
Greqia ishte ndër vendet e para që përcolli ngushëllime dhe ofroi ndihmë më 6 shkurt, kur dy tërmete të fuqishme goditën 11 provinca turke.
Po ashtu, Türkiye ishte vendi i parë që ofroi ngushëllime dhe ndihmë pas një aksidenti të trenit më 28 shkurt në Greqinë veriore ku humbën jetën të paktën 57 persona.
Pas aksidentit, Türkiye lejoi transferimin në Greqi të një të burgosuri grek për të marrë pjesë në varrimin e djalit të tij.
Së fundmi, ministri grek i Mbrojtjes, Nikolaos Panagiotopoulos, javën e kaluar vizitoi Türkiye-n dhe u takua me homologun e tij turk, Hulusi Akar./AA