Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka folur sot në një emision televiziv në lidhje me vizitën e zyrtarit të SHBA, Gabriel Escobar në Tiranë.
Alibeaj deklaroi se marrëdhëniet e PD-së me SHBA-në janë speciale dhe se gjatë takimit me të, SHBA dha mbështetje të pastër dhe të qartë për Partinë Demokratike.
“Nuk është takimi i parë me Escobar për PD-në. PD ka lindur me bekimin e SHBA dhe marrëdhëniet e saj me SHBA-në siç edhe Escobar marrëdhënia është speciale. Nuk bëhet fjalë për marrëdhënie të informacionit politik me aleatin strategjik të SHBA, por është vetë frymëzimi i kombit tonë me SHBA të cilat janë ndodhur në momente historike këtij kombi, si ai i 100 viteve, apo në 1999 me rastin e Kosovës”, tha ai.
Alibeaj shtoi se ka shumë e shumë arsye pse populli shqiptar ka një lidhje speciale, një orientim të dedikuar ndaj SHBA-së.
“Partinë e bëjnë bartësit e atyre vlerave mbi të cilat u themelua partia para 32 vitesh. Ishte një mbështetje e pastër dhe e qartë energjike që SHBA i jep PD-së, u japin demokratëve dhe shqiptarëve. U japin shqiptarëve në këtë kohë të turbullt për të gjithë demokracinë shqiptare. Nuk e fsheh fare faktin që mbështetja e tyre është impuls i fortë, energjik. Besoj se janë një sinjal i fortë edhe politike se nga se duhet të orientohen demokratë, por dhe shqiptarët. Ky ishte thelbi i diskutimeve me Escobar”, tha ai.
Gjithashtu Alibeaj informoi se një tjetër temë e diskutuar gjatë takimit me Escobar ishin dhe zgjedhjet e 14 majit.
Alibeaj tha se, “i shpjegova refuzimin e mazhorancës për rekomandimet tona që kemi çuar në komision. I bëra me dije të gjitha shkeljet, jo vetëm morale e politike që kjo qeveri po bën. Shkelja sistematike e të dhënave personale me “Aktivistin” e famshëm, shantazhet dhe terrori në administratën publike që ka marrë urdhër për të bërë vota për qeverinë. Rritjet e pagave e pensioneve, tenderët e pafundmë të kësaj qeverie që i ka lançuar tani. Të gjitha këto janë simptoma më e qartë e dukshme që kjo qeveri zgjedhjet i vjedh, i blen dhe shantazhon qytetarët. Procesi zgjedhor është proces i partive politike dhe i qytetarëve mbi të gjitha”, tha ai.