REALPOLITIK FLASH NR. 66
25 MARS – 15 PRILL 2023
Shkurt dhe shqip mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga
Dr. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh
1.“Kinezërimi i Macron“ Kjo mund të thuhet mbas vizitës së Presidentit francez Macron në Kinë bashkë me Presidenten e Komisionit Europian Von der Leyen më 6 – 8 Prill. Ngjarje pozitive në kushtet e tanishme të luftës në Ukrainë, rolin e madh të Kinës lidhur me Rusinë, sidomos për parandalimin e përdorimit të armëve bërthamore, interesat e mëdha të biznesit europian dhe francez në Kinë, për shkak të vartësisë jashtëzakonisht të madhe në shumë fusha ekonomike dhe tregtare.
Problemet filluan mbas kthimit të Macron, kur ai bëri thirje për krijimin e një « poli të tretë“ gjeopolitik europian, i pavarur nga SHBA-të dhe i barazlarguar nga Kina. Mirëpo, ky propozim » çon ujë në mullirin kinez“ Dihet se Kina akuzon SHBA-të se gjoja po u diktojnë politikat e tyre anti-kineze vendeve antare dhe BE-së; me propozimin me 12 pika për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, Kina pretendon dhe propagandon se ka në bord dhe Rusinë, mirëpo pengesë janë bërë SHBA-të; për faj të tyre dhe BE-ja me vendet antare, se demek nuk i lenë të marrin frymë SHBA-të! Gjithashtu, lëvizja më e fundit makroniste cënon unitetin dhe kohezionin politik, ekonomik dhe ushtarak Euro-Atlantik, sidomos tani kur SHBA-të janë angazhuar në krye të Aleancës perendimore në ndihmë të Ukrainës dhe në përplasje me Kinën për çështjen e Tajvanit. Në këtë situatë, të kërkosh të ndash Europën nga Amerika është shërbim goxha i madh për gjeopolitikën kineze.
Mesa duket Macron po evokon sërish objektivin e tij madhor për lidership europian. Mirëpo, nuk i ka “këllqet“ politike, ushtarake, ekonomike dhe diplomatike për një mision të tillë tejet të vështirë. Madje, tani nuk ka më as shumicën e nevojshme parlamentare në vend. Ja pse, propozimet për një “Pol të Tretë“ më tepër e “kinezërojnë“ atë, duke e bërë objekt të “bombardimeve“ me qortime ngado. Të kundërtën bëri kryediplomatja gjermane Baerbock, e cila më 14 Prill në Pekin kërkoi politika të përbashkëta europiano- amerikane ndaj Kinës.
- Escobar në Tiranë: Zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar ishte në Tiranë 10 – 13 Prill në takime me liderët e shtetit, qeverisë dhe opozitës, me përjashtim të Berishës. Kryefjala e tyre ishin zgjedhjet e 14 Majit, që të jenë të lira dhe të ndershme. Jo si të 25 Prillit 2021, të cilat SHBA-të çuditërisht i njohën qysh të nesërmen, pa pritur as raportin paraprak të ODIHR. Ky i fundit, nga halli u detyrua t’i shpallë ato thjesht “ të mirëorganizuara” ! Mirëpo të tilla kanë qenë dhe në monizëm, por jo të lira dhe të ndershme. Në fakt, Escobar erdhi me tre piksynime madhore në Tiranë lidhur me krijimin e një peisazhi të ri politik mbas 14 Majit. Së pari, të dobësojë mazhorancën dhe Kryeministrin Rama, të tronditur nga skandale dhe afera të shumta; të forcohet krahu i Basha – Alibeaj, ndoshta për ta futur më vonë në koalicion me PS-në, sidomos pas zgjedhjeve 2025. Kështu, ky grupim i dobët do të bëhej më joshës për opozitarët e lëkundur dhe së treti të defaktorizohet krahu i “ non – grata” duke e çuar atë mundësisht në humbje më 14 Maj dhe abandonimin e tij masiv. Po ashtu, mbajtjen në “ rezervë” për çdo rast të Ilir Metës, të njohur dhe me përvojë si “ king – maker” politik. Në çdo rast, pritet të përshkallëzohen hapat kundër Berishës, mbasi SHBA-të nuk mund të lejojnë më protagonizmin e tij, ndonëse deri tani nuk kanë qenë bindës.
- 3. Do ta paguajmë « si Çeçoja » Becchettin! Kjo është e padiskutueshme, 108 milionë Euro ! Mbas humbjes përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish pronarit të Agon Channel TV, qeveria është e detyruar ta paguajë atë “një më një“. Çdo vonesë vetëm se shton interesat. Kujdes, bëhet fjalë për Qendrën e plotfuqishme Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrërveshjeve të Investimeve (ICSID) pranë Bankës Botërore. Kemi ratifikuar Konventën e saj në Nëntor 1991 si 164 vende të tjera. Nëse nuk e bëjmë “me hir”, do të na i bllokojnë pasuritë kudo në botë, pra ”me pahir”! Veç kësaj, mosbindja jonë do të ulë më tej besueshmërinë e investitorëve të huaj te qeveria jonë. Sa për luftën dhe largimin prej ICSID-së, kjo është “përrallë me mbret” sepse ke të bësh më Bankën Botërore, FMN-në, SHBA-të dhe BE-në që janë aksionerët e saj më të mëdhenj. Kur shoqërova si përkthyes misionin e parë të Bankës Botërore në Tiranë në Mars 1991 gjëja e parë që na thanë ishte, “kujdes, mos bëni shaka me ICSIC-në”! Pastaj ka dhe gjykata të tjera arbitrazhi, kështu që nuk “ kemi se nga t’ia mbajmë”! Pik!
4.”Kokoshi një thelë”! Kjo mund të thuhet gati një muaj pas dakordësimit në Ohër dhe ecurinë e dialogut Prishtinë – Beograd. Duket sheshit se BE-ja dhe SHBA-të janë dakordësuar që ta shtyjnë në kalendat greke njohjen e Kosovës nga Serbia, 5 vendet e antare të BE-së, antarësimin në OKB dhe gjetkë. Tani në rend të ditës për ta janë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe autoriteti i Kishës serbe në Kosovë. Të gjitha këto në kuadrin e rishikimit të politikave perendimore ndaj Serbisë, nga ndërhyrja e armatosur më 1999 deri në ditët e sotme. Me elozhe ndaj Beogradit, ndjesë dhe pendesë ndaj saj; shoqëruar me shtim të trysnisë ndaj Prishtinës, duke e hequr njohjen e saj nga axhenda diplomatike, në emër të një marrëveshje pa firmë dhe të ardhmes, duke e mbuluar ” me lezet” të kaluarën! Këtë gjendje të re për Kosovën mund ta perifrazosh shkurt me aforizmën tonë ” u katandis kokoshi një thelë”! E megjithatë, Kryeministri Rama deklaron se të gjitha këto kompromise për Kosovën janë thjesht “ një copë kek!” Sa muzikë e bukur për Beogradin!!
5.Mali i Zi i nxorri ujin e zi! Mbas 31 vitesh, Presidenti Gjukanovic humbi në betejën kundrejt 37 vjeçarit Millatovic. Mirëpo, sërish me pikpyetje të shumta dhe pa përgjigje, dyshime dhe hamendësime. A do të vazhdojë Mali i Zi në trasenë Euro – Atlantike, apo, siç ”po duken bathët” do të anojë nga Serbia dhe Rusia? “ A do të marrë fund kriza institucionale me zgjedhjet në Qershor, nëse ato nuk anullohen ose shtyhen? Ja pse zgjedhja e Presidentit të ri shihet si “thikë me dy presa!” Ndonëse Mali i Zi “i nxorri ujin e zi” politikës këto vite, ende nuk po shohim të dalë “tymi i bardhë”!.
© 2023 Argumentum