Kryeministri Edi Rama u diagnostikua me apendisit akut natën e mbrëmshme, pas kryerjes së disa testeve imazherike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Zyra e shtypit e kryeministrisë, bën të ditur se “në bazë të rekomandimit të mjekëve të shërbimit të urgjencës, Kryeministri iu nënshtrua operacionit për heqjen e apendisitit në orët e para të mëngjesit të sotëm”.
Operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, shef i Shërbimit të Kirurgjisë në QSUT.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se, “ndërhyrja konsiderohet e suksesshme dhe gjendja shëndetësore paraqitet e mirë”.
Shefi i Kirurgjisë në QSUT: Gjendja e Kryeministrit stabël, brenda 24 orëve del nga spitali
Shefi i Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata në një prononcim për mediet dha detaje në lidhje me gjendjen shëndetësore të kryeministrit Edi Rama, pas ndërhyrjes kirurgjikale me urgjencë për heqjen e apendisitit.
“I ka bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme në QSUT. Si operacion shkoi mirë, gjendja postoperatore është stabël. Sot besoj do të fillojë dhe të ushqehet, brenda 24 orëve mund të shkojë në shtëpi. Me metodën e laparaskopisë, koha e rikuperimit total do të jetë 2 ose 3 ditë. Nuk duhet të ketë asnjë kujdes të shtuar”, tha Gjata.
I pyetur nëse do të jetë në gjendje që të zhvillojë takime elektorale, mjeku tha se kryeministri mund të dalë për 2 ose 3 ditë.
“Mund të ecë vetë deri sot. Në fushatë varet, për 2-3 ditë. Është operuar në sallat që kemi pasur! Ishte në gjendje të mirë, komunikon normalisht”, tha Gjata.