Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, falënderoi sot presidentin e Kroacisë, Milan Milanoviç për vëmendjen dhe ndihmën e veçantë që vendi i tij ka dhënë dhe i jep procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç në Zagreb, Presidenti Begaj tha se, “si një iniciatore e samitit BE-Ballkani Perëndimor në vitin 2000, Kroacia ka qenë dhe mbetet një avokate e mirë dhe mbështetëse e madhe e procesit të zgjerimit dhe të anëtarësimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
“E sigurova mikun tim Zoran, se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të përkushtuara për të përmbushur me sukses reformat e nevojshme, duke e informuar për rezultatet konkrete dhe pritshmërinë për takimin e dytë ndërqeveritar midis BE-Shqipëri. Gjithashtu, nënvizova se Shqipëria është një partner i besueshëm evropian për sa i përket politikës së saj të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Presidenti Milanoviç më siguroi, se mbështetja, eksperienca dhe ekspertiza kroate nuk do të na mungojnë përgjatë këtij rrugëtimi”, theksoi Begaj.
Presidenti Begaj, vuri në dukje se, “zhvillimet më të fundit gjeopolitike, pas agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, e bëjnë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin tonë rajonal për çështjet e sigurisë, përfshirë edhe atë kibernetike e të sulmeve hibride. Shqipëria është e palëkundur në mbështetje të Ukrainës edhe përmes rolit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Begaj e falënderoi presidentin Milanoviç, për mbështetjen që Kroacia i dha kandidaturës së Shqipërisë për anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023, si dhe e siguroi për mbështetjen që Shqipëria do t’i japë kandidaturës së Kroacisë për anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2030-2031.
Më tej Begaj tha se, “kjo është vizita e dytë e imja si President i Republikës së Shqipërisë jashtë vendit pas asaj të Kosovës, e cila për mua ka një rëndësi të madhe e mjaft domethënëse. Vizita ime në Kroaci, është e rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve midis dy vendeve ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve rajonale, evropiane por edhe më gjerë”.
“Me Presidentin Milanoviç, pata kënaqësinë të zhvilloj një bisedë të gjatë, të veçantë e miqësore, ku fokusi kryesor ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh, agjenda e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe zhvillimet rajonale. Ndamë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-kroate, sot janë në ditën e tyre më të mirë, falë marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe tradicionalisht miqësore midis dy vendeve e dy popujve tanë. Ata kanë në themel të tyre prioritetet e politikës së jashtme të dy vendeve tona dhe vizionin e përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se, “dokumenti i partneritetit strategjik i firmosur midis dy vendeve i ka dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve midis dy vendeve. Marrëdhëniet tona festuan vitin që shkoi 30-vjetorin dhe vlerësova se në këto tri dekada kemi krijuar një kapital i cili është mjaft i mirë i bashkëpunimit politik, diplomatik dhe ekonomik.Vlerësuam se arritja së shpejti e një marrëveshjeje bilaterale për sigurimet shoqërore, do të ndikojë më shumë në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy popujve tanë”.
Kreu i shtetit tha se, “zhvillimet më të fundit gjeopolitike, pas agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, e bëjnë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin tonë rajonal për çështjet e sigurisë, përfshirë edhe atë kibernetike e të sulmeve hibride. Shqipëria është e palëkundur në mbështetje të Ukrainës edhe përmes rolit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Begaj e ftoi presidentin Milanoviç për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë Armanda Begaj ishin sot në një vizitë shtetërore në Kroaci, ku u pritën nga presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç dhe Zonja e Parë, Sanja Musiç Milanoviç.
Vizita shtetërore e Presidentit zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm, si në kuadër të marrëdhënieve midis dy vendeve, ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve rajonale, evropiane e më gjerë.
Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes të zhvilluar në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kroacisë, presidentët Begaj dhe Milanoviç zhvilluan një takim kokë më kokë, që u pasua nga një takim i zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.