Shkurt dhe shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga
Dr. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh
1.Ohri « shfryhet » në veri, Strasburg dhe në Nju Jork! Tri ngjarje të rëndësishme vunë në provë dakordësimin në Ohër më 18 Mars. Mirëpo ai « ngeci » në të tri këto prova zjarri, duke mos dëshmuar thënien e urtë « fillimi i mbarë është gjysma e punës » Në zgjedhjet vendore të 24 Prillit në 4 komuna në veri të Kosovës vetëm sa u thye rekordi i pjesëmarrjes, as 3 për qind, nga 45.000 vetëm 1500 shkuan në votime. Lista Serbe dhe forca të tjera nuk muarën pjesë, duke iu përgjigjur thirjes së qeverisë serbe dhe Vuçiç. Jo sikur ishin dakordësuar, por sikur ishin armiqësuar në Bruksel dhe në Ohër! Demek nga inati pse nuk është bërë ende Asociacioni i komunave me shumicë serbe! A thua se ai bëhet brenda natës ose me një të rënë të lapsit!
Të nesërmen, në Strasburg, Komiteti i Ministrave të KiE-së miratoi kalimin më tej të kërkesës së Kosovës për antarësim në Këshillin e Europës. Në Ohër u ra dakord që Serbia nuk do të pengonte Kosovën të antarësohet në organizata ndërkombëtare. Por, sërish Beogradi bëri të kundërtën. Madje, jo vetëm që votoi kundër, por mallkoi me gjuhën më të drunjtë dhe vendet që votuan pro, përfshirë Malin e Zi me lloj lloj etiketimesh. « Shfryu” dhe kundër SHBA-ve dhe BE-së, duke u rikujtuar se ai do të zbatojë vetëm aspektet e Ohrit që i « vijnë pas midesë », se dakordësimi në Ohër ishte selektiv dhe alla serb!
Më 27 Prill palët e dakordësuara në Ohër u takuan në Pallatin e Qeltë të OKB-së në Nju Jork. Veçse jo për të biseduar, por për t’u « përleshur ». Kryediplomati serb Daçiç e tha troç se Serbia as që ka ndërmend ta njohë ndonjëherë Kosovën, le më pastaj ta lejojë të antarëssohet në OKB! Atmosfera e ndezur atje është përgënjeshtrimi më i qartë i demarsheve 12 vjeçare të dialogut midis tyre !
Të tri këto ngjarje nxuarrën dhe njëherë në pah atë çka kemi përmendur disa herë në këtë dhe të tjera rubrika, se dakordësimi i Ohrit është thjesht dëshirë e mirë dhe asgjë më shumë! Eshtë veprim i sforcuar i BE-së dhe SHBA-ve, sa për « të hedhur lumin » dhe për të mbuluar dështimin! Gjithçka ka filluar dhe po ecën mbrapsht, sepse klima dhe mjedisi janë të helmuara dhe të minuara; ndaj as që mund të pritet diçka e mirë sado e vogël, lere më pastaj « historike ». Përderisa aleatët tanë vazhdojnë ta përkëdhelin Serbinë, ta mbajnë « si të nënës » dhe Prishtinën « si të njerkës » me politikën e dështuar të paqtimit dhe pa i treguar vendin Beogradit, tejet e vështirë për të shpresuar, jo ndonjë « breathrough » por as për hapa pozitive. Përkundrazi, gjasat janë se do të vijojë të ecet sipas parimit leninist “ një hap para, dy hapa mbrapa“ ! Veçse tashmë me lehtësimin e Perëndimit!
2. Lu Shaye doli huq! Është më e pakta që mund të thuhet për deklaratën “ bombë” të ambasadorit kinez në Paris Lu Shaye më 23 Prill kur tronditi dhe Pekinin zyrtar me deklaratën se vendet balltike nuk kanë status efektiv në të drejtën ndërkombëtare, sepse nuk ka marrëveshje ndërkombëtare që të konkretizojë statusin e tyre si shtete sovrane.
Kjo deklaratë u bë sapo Presidenti francez Macron ishte kthyer nga vizita në Pekin dhe pohimi i tij polemizues se Europa nuk duhet të jetë vasale e SHBA-ve dhe se duhet të ketë autonomi në raportet me Kinën. Lu Shaye shkaktoi një tërmet të vërtetë politik në Europë, SHBA, vendet balltike, ish republikat e tjera sovjetike dhe në Pekin. Vërtet që ai njihet si ndër të ashtuquajturit “ ujq luftëtarë” por në këtë rast e “shkeli me të dyja këmbët”. Sepse, siç e qartësoi dhe MPJ-ja e Kinës, Kina i ka njohur dhe ka bashkëpunim 30 vjeçar me të gjitha ish republikat sovjetike. Veprim i duhur por që ndoshta nuk mjafton me aq në të tilla raste.
3.Pekini ngjall shpresa! Për fat, jehona e kësaj gafe të rëndë u shua shpejt, pas lajmit se Presidenti kinez Xi Jinping bisedoi për herë të parë në telefon më 26 Prill me homologun ukrainas, Zelenski. Një bisedë e gjatë, miqësore, e cila, sipas Zelenskit dhe liderëve të tjerë kryesorë botërorë ngjall shpresa për frenim të veprimeve luftarake dhe për një paqe të mundshme atje. Kjo duke ditur rolin dhe peshën e madhe politike, ekonomike dhe ushtarake të Kinës, Antare e Përhershme e KS të OKB-së dhe aleatja kryesore e Rusisë.
Ca më tepër se vetëm 2 muaj më parë, ajo doli me qëndrimin politik për një paqe të mundshme në Ukrainë me 12 pika dhe pas vizitës në Moskë të Presidentit Xi Jinping. Eshtë pozitiv fakti që Presidenti kinez do të caktojë një emisar të posaçëm, i cili pritet të shkojë së shpejti në Kiev për të biseduar në hollësi mbi planin kinez të paqes. Mesazh i shumëpritur dhe në kohën e duhur, që i shton besueshmërinë realpolitike propozimit kinez. Veçse urojmë të mos mbetet vetëm në kuadrin e shpresës, por të shënojë hapa përpara. Ca më tepër që Rusia, ndonëse e ka mirëpritur planin në fjalë, ditët e fundit ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës, kur të paktën qoftë dhe “ për sy e faqe” ajo duhej të tërhiqej sadopak; veç jo duke deklaruar se është për paqe, por duke fajësuar orë e çast Kievin. Le të presim dhe shpresojmë, procesi do të jetë i gjatë dhe i vështirë, ndaj koha është gjykatësi më i mirë!
- Hill vashdon me avazin e Vjetër! Ambasadori amerikan në Beograd e ka “pikë të dobët ” Ballkanin e Hapur” paçka se ai tashmë është kapitull praktikisht i mbyllur. Madje, në një takim të Dhomës Amerikane të Drejtësisë ne Beograd më 23 prill, Ambasadori Hill i habiti të pranishmit kur pohoi se aty janë të 6 vendet! Hill mesa duket harron se pas takimit të Kryeministrit Rama në Berlin me Kancelarin Scholz dhe Samitin e tij në vjeshtë në Tiranë, gjithçka tani flet për Procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur mbetet një fosile e padobishme që më shumë ngatërron se sa ndihmon! Fatkeqësisht, këto pohime të gabuara bëhen në kuadrin e marrjes me të mirë të Beogradit, në vend që t’ia presin shkurt, “ boll më, tani rroftë Procesi i Berlinit”!
© 2023 Argumentum