Përfaqësuesit e 21 vendeve dhe dy organizatave ndërkombëtare ranë dakord për një takim dyditor në Doha, ku do të angazhohen për ndihmën në Afganistan, njoftoi sot sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
“Strategjia e angazhimit lejon stabilizimin e Afganistanit si dhe adresimin e shqetësimeve të rëndësishme”, tha Guterres.
“Ne të gjithë i kuptojmë shqetësimet dhe kufizimet e njëri-tjetrit”, tha shefi i OKB-së.
Guterres tha se prania e organizatave terroriste, mungesa e të drejtave të njeriut, veçanërisht për gratë dhe vajzat, dhe përhapja e trafikut të drogës do të jenë shqetësimet kryesore që do të diskutohen nga pjesëmarrësit.
Zyrtari i lartë i OKB-së rikonfirmoi gjithashtu se Afganistani, ku komuniteti ndërkombëtar kishte një prani ushtarake për dy dekada, përbën ende krizën më të madhe humanitare në botë.
“Gjashtë milionë fëmijë, gra dhe burra afganë janë një hap larg krizës së ngjashme me urinë”, tha ai.
Takimi në Doha, u planifikua menjëherë pasi talebanët ndaluan gratë afgane të punojnë për Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera joqeveritare ndërkombëtare (OJQ).
Më herët, misioni diplomatik i OKB-së, në Afganistan paralajmëroi se do t’i jepte fund misionit të tij deri në maj, nëse talebanët refuzonin të anulonin ndalimin.
Talebanët u kthyen në pushtet me rënien e ish-qeverisë afgane mes tërheqjes kaotike të forcave të NATO-s nga vendi në gusht 2021.