Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka tentuar një sulm me dron gjatë natës në Kremlin me qëllim të vrasjes së presidentit Vladimir Putin.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk u dëmtua dhe vazhdon të punojë si zakonisht pas tentativës së sulmit me dron të Kievit kundër Kremlinit këtë natë, tha të mërkurën shërbimi i shtypit presidencial, sipas medias ruse RIA
“Presidenti rus nuk u dëmtua si rezultat i sulmit terrorist. Orari i tij nuk ka ndryshuar dhe vazhdon si zakonisht,” tha shërbimi për shtyp.
Sipas shërbimit të shtypit, këtë natë “regjimi i Kievit kreu një përpjekje për të kryer një goditje me mjete ajrore pa pilot në rezidencën e Kremlinit të presidentit rus”. “Dy mjete ajrore pa pilot shënjestruan Kremlinin,” tha ai.
“Si rezultat i veprimeve në kohë të ndërmarra nga ushtria dhe shërbimet speciale duke përdorur sisteme të luftës elektronike, dronët u çaktivizuan”, tha Kremlini. “Rënia e tyre dhe fragmentet e shpërndara përreth në territorin e Kremlinit nuk shkaktuan viktima apo dëme materiale”, theksoi shërbimi për shtyp, raporton media ruse TASS.
Presidenti rus punoi të martën në Shën Petersburg, ku dha dritën jeshile për rifillimin e trafikut të tramvajit në Mariupol përmes lidhjes video, zhvilloi një takim me qeverinë dhe një sërë takimesh të tjera pune. Putin gjithashtu u takua personalisht me dirigjentin e famshëm rus Valery Gergiev, i cili shënoi ditëlindjen e tij të 70-të.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se të mërkurën Putin po punon në Novo-Ogaryovo jashtë Moskës, ku u takua me guvernatorin e Nizhny Novgorod, Gleb Nikitin.
Moska do të jetë e gatshme t’i përgjigjet përpjekjes së Kievit për të kryer një sulm me dron në Kremlin kurdo dhe kudo që e sheh të arsyeshme, tha shërbimi i shtypit presidencial rus në një deklaratë të mërkurën.
“Rusia rezervon të drejtën për të marrë masa hakmarrëse kurdo dhe kudo që e sheh të arsyeshme”, thuhet në deklaratë.
Kremlini vuri në dukje se ishte “një akt i planifikuar paraprakisht i terrorizmit dhe një tentativë për të vrarë presidentin rus, i cili ndodhi pak para Ditës së Fitores dhe Paradës së 9 majit, ku do të marrin pjesë mysafirë të huaj”.
Incidenti i supozuar vjen ndërsa forcat ukrainase përgatiten për një kundërofensivë që ata shpresojnë se do të çlirojnë territorin nga pushtuesit rusë, më shumë se një vit pasi Putini urdhëroi një pushtim në shkallë të plotë.
/Argumentum.al