Krerët më të lartë të shtetit shqiptar bënë sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” me rastin e e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.
Të pranishëm në homazhe ishin Kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtues të tjerë të shtetit.
Ata vunë kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri” në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit.
5 Maji është Dita e Dëshmorëve të Atdheut që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mesazh me rastin e Ditës së Dëshmorëve.
Në ditën e Dëshmorëve, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla theksoi se sakrifica e dëshmorëve për lirinë është trashëgimi e shenjtë.
“Sot nderojmë me përulësi Dëshmorët e Atdheut. Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe ndër legacitë sipërore të kombit. Është thirrja t’i shërbejmë Shqipërisë me të gjitha energjitë dhe fuqinë e shpirtit, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.Është inspirimi për kontributet tona për zhvillim, mirëqenie, dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë shoqërore.Kombet që nderojnë historinë janë më të lirë e më të qartë të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, shkruan Nikolla.
“Sot në Ditën e Dëshmorëve në Gosë të Rrogozhinës vendosëm kurora me lule në nderim të Heronjve të Popullit, Margarita dhe Kristaq Tutulani. Ekzekutimi i tyre mizor nga pushtuesi ishte një përpjekje e dëshpëruar për të trembur rininë anembanë vendit për t’iu bashkuar Luftës Antifashiste për Liri. Ne do t’i kujtojmë gjithmonë me nderim dhe dashuri për sakrificat më sublime që ata bënë dhe kurrë nuk do e harrojmë porosinë e Margaritës se: Atdheu na duhet që të jetojmë të lirë”, shkroi ai.
Sot në 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve Shqipëria përkujton të rënët në luftë. Vrasja në 5 maj 1942 e Qemal Stafës, ish sekretari politik i të rinjve komunistë, në nderim të veprës së tij, është caktuar të jetë Dita e Dëshmorëve. Janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Në kohën e komunizmit, 5 Maji u bë traditë. Ishte ditë e shënuar! Tiparin dallues të kësaj dite e përbënin vizitat në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vizitat në familjet e dëshmorëve.