Premiera botërore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Kryezot i Arbërit” rikthen operën shqiptare në skenë.
Opera solemne kompozuar nga Vasil S. Tole, shkruar mbi tekstin e Fan S. Nolit, është fituese e “Konkursit mbarëkombëtar të krijimtarisë muzikore”, shpallur nga Ministria e Kulturës në vitin 2018.
Vepra ngjitet në skenë me rastin e 555-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, nën interpretimin e baritonit Artur Vera, tenorit Gerald Murrja, sopranos Eva Golemi dhe mezzo-sopranos Amelda Papa, Orkestrës Simfonike dhe Korit të TKOB, si dhe Korit të Filarmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentëve Sieva Borzak, Dritan Lumshi dhe Hajrullah Syla.
“Shqipëri e Kosovë bëhen bashkë në nderim të Heroit”, shkroi ministrja ë Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale, duke i bërë jehonë kësaj vepre madhore, e cila premierën e ka nesër (9 maj) në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit./ata