Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, arriti në Kiev për bisedime me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Sa mirë të jem sërish në Kiev. Aty ku vlerat që i mbajmë afër, mbrohen çdo ditë”, shkroi von der Leyen në Twitter.
“Unë e mirëpres vendimin e presidentit Zelensky për ta shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës – edhe këtu në Ukrainë”, shtoi ajo.
Vizita e von der Leyenit – e pesta që nga fillimi ipushtimit të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022 – zhvillohet në ditën kur Bashkimi Evropian feston Ditën e Evropës.
Kjo ditë nderon Deklaratën e Schumanit, të paraqitur nga ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, më 9 maj të vitit 1950.
Deklarata shihet si gur themeli i asaj që do të bëhej BE-ja e sotme, me 27 vende anëtare.
Von der Leyen do të “riafirmojë mbështetjen e palëkundur të BE-së ndaj Ukrainës”, tha zëdhënësi i saj.
Zyrtarja e lartë evropiane arriti në Kiev disa orë pasi Rusia lëshoi 25 raketa në Ukrainë – 15 prej të cilave kishin në shënjestër kryeqytetin.
“Gjatë dy valëve të sulmeve në Ukrainë natën e 9 majit, pushtuesit rusë lëshuan 25 raketa – 23 prej tyre u shkatërruan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës”, tha përmes një deklarate Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës.