Dr. Jorgji KOTE
Javën e kaluar ish Presidenti i 44 i SHBA-ve, Barack Obama ishte në Spanjë, Zvicër dhe në Berlin, në kuadrin e turit të tij europian « Rilindja e Shpresës » Ai zhvilloi takime në salla të mëdha të tejmbushura; të ardhurat shkojnë për sponsorizimin e fondacioneve të tij, të cilat synojnë forcimin e komunitetit dhe ndryshimit.
Është tejet mbresëlënëse që dhe 6 vite pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Obama mirëpritet me entusiazëm në Europë. Kjo sidomos në Gjermani, ku pëlqyeshmëria ndaj tij ka qenë më e madhe se dhe në SHBA. Zanafilla ishte më 25 Korrik 2008, në tubimin madhështor në sheshin historik ” Siegessäule” në Berlin me mbi 200.000 vetë. Gjermanët e duan Obamën për karakterin e thjeshtë, mençurinë, ndjenjën e humorit dhe aftësitë e rralla komunikuese në çdo situatë. Kjo u pa dhe më 3 Maj në Berlin, në ”Mercedes Benz Arena” të mbushur plot e përplot.
Në fakt, këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. Obama është ” Rockstar” i politikës amerikane dhe botërore. E filloi jetën si djali i një nëne të vetme me rrënjë afrikane, i cili me mund, punë dhe përpjekje ia doli mbanë të integrohej në shoqërinë amerikane e të zgjidhej senator; mbi të gjitha, ai realizoi jo thjesht një dëshirë si në filmat hollividuanë, por një ëndër të vërtetë dhe të madhe amerikane – më 20 Janar 2009 hyri në Shtëpinë e Bardhë, duke mundur ”të bardhën e fuqishme” politike, Hilary Clinton; ai drejtoi SHBA-të për dy mandate deri në vitin 2017 .
Në takimin në Berlin, Obama u përqëndrua në aspektet madhore të demokracisë, trajtimin e ideve dhe mendimeve të ndryshme, realizimin e ndryshimit, rolin e madh të gruas, etj. Në median gjermane u vlerësua shprehja e tij se « kur vjen puna për të vërtetën, nuk ka hierarki » Një thënie e mençur që tregon se sa të dëmshme janë prirjet për të shuar mendimet e kundërta nga pozita e forcës dhe pushtetit.
Obama u ndal pa emra, por duke nënkuptuar Putinin, dhe në përgjithësi liderët të sotëm autokratë kur nënvizoi se « njerëzit që kanë shumë pushtet dhe nuk durojnë dot këndvështrime të tjera të ndryshme, humbasin kontaktet me realitetin; ata shkojnë deri aty sa të hedhin bomba mbi të pafajshmit »
Sa u përket dallimeve dhe kundërshtimevee në demokraci, sipas tij, ato rregullohen më ligje, në ”frymë dhe gërma”; ndërkohë, ndërrimi i pushteteve nuk është shqetësim kur ato bëhen në zgjedhje të lira e të ndershme, sipas vullnetit të popullit por duke respektuar dhe opozitën. Këtu ai përmendi Gjermaninë si shembull që në vend të mureve të së kaluarës ka kohë që ndërton ura lidhëse dhe bashkuese. Po ashtu, duke iu referuar Merkelit dhe Kancelarit Scholz, me të cilët darkoi dhe drekoi, ai tha se pavarësisht se vijnë nga dy krahë të kundërt politikë, ata i bashkojnë vlerat dhe parimet demokratike.
I pyetur se si dhe ku e sheh të mundshme realizimin e shpresës dhe ndryshimit, Obama iu referua brezit të ri, ndërsa më të moshuarit duhet ”të hapin krahun”.
Deri këtu Obama është në rregull dhe jep një model të mirë të një ish Presidenti amerikan, që ndonëse larg politikës botërore po e përdor famën dhe eksperiencën e tij, duke u angazhuar si organizator komuniteti dhe mentor i ndryshimit social.
Problemet me Obamën shfaqen kur vjen puna te analiza e trashëgimisë së tij politike. Këtu ai është pak a shumë në të njëjtën pozitë me ish Kancelaren Merkel, me të cilën qeverisi bashkë për 8 vjet rresht, ndonëse Merkel 2 herë më gjatë.
Në këto kushte, sidomos 15 muaj pas agresionit rus ndaj Ukrainës natyrshëm është rritur interesi dhe kërkesa për të dëgjuar përgjigjet dhe shpjegimet e Obamës ndaj disa pyetjeve themelore të nxehta lidhur me politikat e tij të brendshme, e sidomos ato gjeopolitike gjatë 8 viteve të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Mirëpo, në Berlin, moderatori i takimit, gazetari 39 vjeçar, Klaas Heufer – Umlauf nuk pranoi pyetje nga salla dhe as ia kërkoi një gjë të tillë Obamës, mbasi sipas tij kjo ishte jashtë axhende. Gjithsesi, ndonëse Obama iu shmang këtyre pyetjeve, ato janë atje, me peshën e tyre të fajit dhe përgjegjësisë në trashgiminë e tij politike.
Problemi në shqip shtrohet se përse do të mbahet mend Obama, cilat janë punët apo veprat e tij të mëdha brenda vendit dhe në botë; po gjurmët e tyre, dhe mbi të gjitha, a është Amerika dhe bota më e mirë pas largimit të tij? Për rrjedhojë, a bën pjesë Obama te presidentët e mëdhenj amerikanë si Kenedi, Regani dhe Clinton? Këtu, siç tregojnë diskutimet, debatet dhe analizat e politologëve me emër, shenjat dhe mesazhet nuk janë aq premtuese dhe tingëlluese sa oratoria dhe karizma e tij.
Brenda vendit, shqetësimi i parë madhor është se pas largimit të Obamës, në Shtëpinë e Bardhë shkoi Trump me problematikat e njohura, i cili është dhe kandidati më i mundshëm për vitin 2024 kundër Biden, i cili ishte për 8 vjet zëvendësi i Obamës. Pyetja shtrohet nëse kanë patur dhe deri në çfarë mase ndikim politikat e Obamës deri në ngjitjen e Trumpit në vitin 2017? Po lufta ndaj racizmit dhe masakrave, sidomos te të rinjtë dhe fëmijët, pasojë e dhunës me armë zjarri ku gjendja ka shkuar keq e më keq?
Dhe më e zymtë është situata kur shkon përtej Oqeanit. Obama premtoi t’i jepte fund luftrave të përhershme, si në Afganstan dhe Irak, ai u laurua shumë shpejt dhe me Nobel për Paqe; mirëpo, luftrat atje përfunduan shumë vonë dhe me pasojat e njohura katastrofale. Gjithashtu, Obama premtoi të mos merrte pjesë në të ashtuquajturat “luftra proxy“, dmth nxitjen dhe mbështetjen e vendeve të tjera më të vogla e pa u përfshirë vetë në to. Konkretisht bëhej fjalë për Libinë dhe Sirinë. Ai ua la atë në dorë Francës dhe Britanisë dhe dihet tashmë fati i tyre tragjik.
Obama e kompromentoi dhe më keq lidershipin amerikan në Siri. Më 2012 ai shpalli “vijen e kuqe“ të cilën Assadi nuk duhej ta kalonte lidhur me përdorimin e gazit dhe armëve kimike. Mirëpo, Assad e shkeli atë “me të dyja këmbët“ dhe prapë ”asnjë gjemb nuk i hyri në këmbë”. Madje, ishte Rusia ajo që ndërhyri fort në Libi dhe në Siri, duke ia lidhur duart keq Obamës. Kjo sepse çdo ndërhyrje e SHBA-ve në Siri do të përfshinte atë në luftë me Rusinë, diçka me shumë rreziqe dhe që nuk i shkonte doktrinës gjeopolitike paqësore të Nobelistit Obama.
Pa dyshim që ”mëkati” më i madh i gjeopolitikës së Obamës ishte përshkallëzimi i politikës së jashtme ruse gjatë presidencës së tij deri te aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Por ajo ishte kurorëzim i një sërë veprimesh politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake ruse nën hundën amerikane dhe europiane. Aneksimi i tyre ishte “prova e zjarrit” për Putinin, i cili mati mirë pulsin perendimor. Reagimi amerikan dhe i Obamës ishte anemik, me disa paketa sanksionesh që nuk i prishën asnjë punë Putinit, madje e forcuan më tej. Ato nuk e penguan të përshkallëzonte rrezikshëm veprimet ushtarake derisa erdhi agresioni i 24 Shkurti 2022.
Mirëpo është fakt se gjatë viteve 2014 – 2017, Obama u muar shumë pak me këtë dosje, duke ia besuar atë mikeshës së vet politike, Angela Merkel. Jo rastësisht, por, nisur nga marrëdhëniet e saj të privilegjuara me Putinin dhe fakti se Gjermania është vendi me rusofil me një numër të madh të “Putin Verstehers“, dmth mirëkuptuesve dhe dashamirësve që mbështetin politikat ruse.
Dihet tashmë se si Merkel gaboi rëndë në politikën ndaj Rusisë, duke e bërë Gjermaninë tejet të varur nga nafta dhe gazi rus dhe me idenë naive se me bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, Putini do të bëhej “djalë i mirë“ dhe se nuk do të sulmonte kërkënd. I kemi trajtuar gjerësisht këto aspekte në shkrimin e mëparshëm “Merkel përballë historisë“ më 25 Prill 2023.
Deri tani, Obama nuk është prononcuar mbi këto dosje ”spec“, siç bëri Clinton, i cili e pranoi publikisht se veproi gabim më 1994 kur doli garant për Marrëveshjen e Budapestit për largimin e armëve bërthamore nga Ukraina; Po të mos ishte vepruar ashtu atëhere, Rusia ndoshta nuk do ta kishte agresuar Ukrainën.
Nga ana tjetër, edhe doktrina e Obamës ndaj Ukrainës rezultoi e gabuar. Ai ishte kundër dërgimit të armëve dhe antarësimit të saj në NATO, që të mos zemërohej Putini. Po ashtu, Revolucioni në Sheshin Majdan i nxitur nga BE-ja dhe SHBA-të nuk u çua deri në fund, duke i lënë terren më të lirë veprimi Putinit.
Sa i takon Ballkanit, pa mohuar disa hapa, pritej shumë më tepër gjatë Presidencës Obama. Kështu, roli amerikan në dialogun Prishtinë – Beograd praktikisht ishte i dobët. Madje, SHBA-të gjatë Presidencës Obama u treguan tejet të zellshme dhe mbështetën fuqimisht krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë për Kosovën dhe në emër të saj. Prej saj tashmë kemi ”peshqesh” të hidhur gjykimin e liderëve kryesorë të UÇK-së, duke tentuar të venë shenjën e barazimit midis agresorëve dhe viktimave dhe duke hedhur hije dyshimi mbi luftën çlirimtare ndaj agresorit serb. Asgjë për Bosnien, ndërsa në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut u lançua me mbështetjen dhe garancitë amerikane dhe europiane reforma e drejtësisë, me synime dhe pritshmëri shumë të larta; por, megjithë disa hapa juridikë, tejet të vonuar, sërish ato ”nuk të ngrohin”. Pa u zgjatur në rezultatet e deritanishme, të cilat janë shtjelluar në shkrimet ” Dakordësim që e katandis kokoshin një thelë” ( 20 Prill) dhe ”Katër zhgënjimet e para të Ohrit”( 4 Maj) duhet pranuar se Obama bëri për Ballkanin Perendomor shumë pak, shumë vonë dhe shumë ngadalë.
Nga ana tjetër, do thënë se dhe disa korrektura të rëndësishme që Trump u bëri politikave të Obamës brenda dhe jashtë vendit janë ruajtur me pak ndryshime edhe gjatë Presidencës së tanishme. Kështu, Biden vazhdon t’i japë përparësi rritjes ekonomike ndaj sfidave klimatike. Qëndrimet ndaj emigrantëve, megjithë një farë zbutje kanë mbetur po ato të kohës së Trump. Reforma shëndetësore e Obamës ka ngecur në vend, ndërkohë që tavani i borxhit amerikan po bëhet gjithnjë e më kërcënues; bashkë me racizmin dhe sidomos ” epideminë e dhunës me armë” siç e konsideron Presidenti Biden përshkallëzimin e masakrave me armë zjarri, me 40.000 të vrarë çdo vit! Ndërkohë, demokracia amerikane dhe komponenti i saj i emblematik ” chacks& balances” e promovuar nga Obama po dobësohet më shumë në SHBA dhe kudo në botë, në favor të ekstremizmit, populizmit dhe autoritarizmit. Ndonëse Biden e ribashkoi Aleancën me Europën, slogani i Trump ”America first“ vazhdon në tregtinë e jashtme amerikane, duke shkaktuar ” dhimbje të mëdha koke” për aleatët e tij europianë. Ndërkohë, fantazma e një luftë të mundshme me Kinën rëndon mbi qiellin gjeopolitik amerikan dhe Perendimor.
Gjithsesi në frontin ndërkombëtar, Biden ka realizuar ndryshimin e madh dhe të shumëpritur ndaj Rusisë dhe Ukrainës bashkë me BE-në, duke udhëhequr deri tani me sukses koalicionin ndërkombëtar perendimor në të gjitha format, përfshirë ndihmat e mëdha për Ukrainën me armë dhe armatimin më modern të kohës.
Përfundimisht, Obama bën mirë që vazhdon projektet e tij për të nxitur ndryshimet në të gjitha fushat e jetës e në radhë të parë në demokraci dhe ringjalljen e shpresave. Një ngushëllim jo i vogël për gabimet dhe dritë hijet e tij realpolitike. Madje, me një veprimtari të tillë në fushën e forcimit të ndjenjës së bashkësisë, ai mund të bëhet dhe më i famshëm dhe më efektiv se gjatë presidencës tetëvjeçare; siç ndodhi me paraardhësin e tij Jimy Carter pas largimit nga presidenca, kur ai u bë shumë më i njohur falë rolit të tij të madh si ndërmjetësues dhe njeri i paqes.
© 2023 Argumentum