Prokuroria e Vlorës ka firmosur sot urdhër-arrestin pas ndalimit nga Policia, për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Sipas dokumentit zyrtar që mban firmën e oficerit të Policisë gjyqësore, Ogert Thoma, Beleri u arrestua në flagrancë nën akuzën për “Korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”.
Prokuroria sqaron se Beleri është kapur në flagrancë në Himarë në orën 00:14 minuta në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Në procesverbalin e arrestit bëhet me dije se urdhri është firmosur dhe nga vetë Beleri ndërsa i është bërë e ditur se në bazë të nenit 255 ka të drejtë të ketë mbrojtës, se nuk ka detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfardo që ai thotë, mund të përdoret ndaj tij në gjykim.
Beleri është dënuar dhe më parë me 3 vite heqje lirie për nxitje dhe urrejtje nacionale në vitin 2003.