Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Audrey Glover, për zgjedhjet e 14 majit tha sot se “fushata elektorale ka qenë kryesisht paqësore megjithëse pati edhe sulme të forta verbale nga liderët e partive kryesore politike, të cilat shpesh ishin të rënda”.
Në një deklaratë për shtyp Glover theksoi se “përveç disa tubimeve të mëdha fushata ka qenë relativisht e qetë. Kandidatët nuk kanë zhvilluar debate me njëri-tjetrin, por kanë përdorur gjerësisht rrjetet sociale. Ekzistojnë disa çështje që gjithmonë u kemi kushtuar vëmendje të veçantë, sepse kanë ngritur disa shqetësime”.
“Fushata filloi më 14 prill dhe u dominua nga liderët e partive politike duke u marrë pak në konsideratë interesin e zgjedhësve. Pas punës së bërë nga Ministria e Brendshme duket se ekziston një besim ose aftësi më e madhe në listat zgjedhore. Megjithatë 40 % e votuesve potencialë jetojnë jashtë vendit”, tha Glover.
Ajo theksoi se zgjedhjet vendore të 14 majit në përgjithësi u administruan mjaft mirë, ishin konkurruese dhe në to morën pjesë forcat kryesore politike”.
“Por, procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe një ndarje e thellë brenda opozitës. Kandidatët bënë fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve publike, pretendimet për presion te zgjedhësit si dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese”, u shpreh Glover.
“KQZ bëri punë transparente dhe efikase, por pati zëvendësime të shpeshta të komisionerëve. Përdorimi i shpeshtë nga mediat i filmimeve të partive në programet e lajmeve, cenoi ndarjen e kohës gjithëpërfshirëse dhe objektive të transmetimit të fushatës. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, por pati ndërhyrje partiake, probleme teknike, votim në grup dhe probleme me fshehtësinë e votës. Numërimi i votave u vlerësua pozitivisht”, deklaroi Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR.
Këto janë zgjedhjet e 16-ta që ODIHR vëzhgon, me 14 ekspertë nga 12 shtete. “Një javë pas mbërritjes na u bashkuan 24 vëzhgues afatgjatë, pak para zgjedhjeve na u bashkuan dhe disa vëzhgues afatshkurtër”, u shpreh Glover.
Më tej, Glover u shpreh se “zgjedhjet administrohen nga KQZ, e cila pas ndryshimeve të vitit 2020 është ndarë në 3 organe. Ato duket se punojnë mjaft mirë së bashku edhe pse ka pasur disa vonesa. Ka 92 komisione të zonave të administrimit zgjedhor KZAZ dhe 512 komisione të qendrave të votimit. Krijimi i këtyre komisioneve ishte problematik për shkak të mosplotësimit të anëtarësimit nga partitë apo të zëvendësimeve të shpeshta”.
“Lidhja e medieve me partitë kryesore politike shkakton ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë editoriale dhe mungesën e burimeve të pavarura të lajmeve. Përdorimi i pamjeve të përgatitura nga partitë për pasqyrimin e lajmeve të fushatës është shqetësues sepse rezulton në reklama politike në lajme. Ka pasur edhe sulme ndaj gazetarëve dhe shpifja ende është një krim i dënueshëm me gjoba të rënda. Media nuk ka bërë raportime për zgjedhjet”, theksoi Glover.
Glover bëri të ditur se “në shkurt të vitit 2022 Parlamenti ngriti një komision për reformën zgjedhore për të ndjekur rekomandimet e pazgjidhura të ODIHR. Edhe pse mandati i tyre u zgjat kohët e fundit, deri më sot nuk ka pasur fare rezultate”.
Ne, vijoi Glover, kemi qenë të shqetësuar gjithashtu për infrastrukturën e qendrave të votimit për personat me aftësi të kufizuara.
“Po studiojmë edhe votimin elektronik që u zhvillua në tre vendndodhje në Shqipëri. Ndoshta shqetësimi më i madh është deri në çfarë mase u është bërë presion njerëzve të punësuar në administratën publike në rastet kur mbështetja për qeverinë e ardhshme ka qenë e kushtëzuar nga mbështetja për partinë në pushtet”, tha Glover.
Glover u shpreh se “fushata dhe pasqyrimi këtyre zgjedhjeve vendore u përqendruan në politikën dhe partitë kombëtare dhe jo në çështjet e rëndësisë më të madhe në vendndodhje të ndryshme. Veçanërisht jashtë Tiranës. Ky fokus kombëtar në fakt reduktoi aftësinë reale të zgjedhësve për të bërë zgjedhjen e tyre në nivel vendor”.
Shefja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover tha se “ODIHR do të përgatisë një raport përfundimtar pas disa muajsh dhe ai do të përfshijë rekomandime dhe zyra do të ketë kënaqësinë të ndihmojë autoritetet në zbatimin e tyre”.
“Kërkojmë nga aktorët politikë të punojnë që mbarëvajtja e zgjedhjeve të jetë në përputhje të plotë në angazhimin e OSBE-së dhe detyrimet e standardet e tjera për zgjedhjet demokratike”, përfundoi Glover.
KiE: Munguan debatet e vërteta
Përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale në Këshillin e Evropës, Stewart Dickson deklaroi sot se gjatë fushatës zgjedhore të 14 majit “munguan debatet e vërteta dhe programet e vërteta politike vendore”.
Gjatë konferencës për mediet ku Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtar paraqitën konkluzionet paraprake për zgjedhjet vendore në Shqipëri Dickson tha se disa rekomandime të mëparshme të Kongresit mbeten të paadresuara.
“Do të përgatisim disa rekomandime që do ia adresojmë autoriteteve të Shqipërisë dhe do të paraqiten për miratim në sesionin e ardhshëm të kongresit në Strasburg në tetor”, shtoi ai.
Si pjesë e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR ishte dhe një delegacion nga PE.
Sven Simon në emër të delegacionit të Parlamentit Europian për vëzhgimin e zgjedhjeve tha se përballja e drejtuesve të politikës la në hije kandidatët.
“Përballja e drejtuesve të politikës la në hije kandidatët. Gjithashtu duhet një frymë e re me të rinj. PE vuri re gjithashtu, pajisjen e id elektronik që jo gjithnjë funksionuan. Vëzhguesit panë edhe shumë njerëz jashtë qendrave të votimit që mund të quhej intimiduese. Megjithatë, duhej thelluar në çështjet vendore, kushte më të mëdha jetese, largimit e trurit nga vendi programet etj”, u shpreh ai.