Drejtuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Z. Sali Berisha dhe Z. Ilir Meta kanë reaguar ditën e sotme ndërsa është zbardhur rezultati i pjesës së madhe të bashkive në këto zgjedhje vendore, ku opozita ka humbur thellë.
Aktualisht opozita nën koaliconin “Bashkë Fitojmë”deri më tani ka fituar 6 bashki: Pukë, Has, Himarë, Memaliaj, Mirditë, Fushë Arrëz.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “vota e krimit dhe e oligarkisë dhunuan si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë votën e shqiptarëve”.
Në një deklaratë për shtyp, Berisha theksoi se “kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa, tek omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner”.
Berisha u shpreh se “makineria elektorale e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, industria e tmerrshme e blerjes së votës, vota e krimit dhe e oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë”, nënvizoi Berisha.
Berisha i bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit, të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre.
“Është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për të mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se “dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisioneri për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki, siç kanë bërë në shumicën e bashkive të vendit. Shpreh solidaritetin tim me komisionerin, Ismail Ismaili dhe të gjithë komisionerët e tjerë që në kushte terrori, po përmbushin detyrimet e tyre”.
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta: Narkozgjedhjet e narkoshtetit!