REALPOLITIK FLASH NR. 68
1 – 16 MAJ 2023
Shkurt dhe shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga
Dr. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh
1.”Lexim klase” në Bruksel! I tillë ishte takimi i Presidentit serb Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bruksel më 2 Maj. Aty u bë thjesht leximi i një drafti mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe të përgatitur nga një ekip prej 4 serbësh. Tamam sipas ”midesë serbe”; askush në Prishtinë nuk dinte si dhe mbi çfarë kriteresh ishte përgatitur ai draft, pa asnjë mundësi t’i hidhte të paktën një sy përpara se të shkonin në Bruksel. Me të drejtë Kryeministri Kurti, siç pritej e hodhi poshtë. Por Lajçak dhe Borrell ”u nderuan” sepse ia bënë qejfin Vuçiçit, dmth e parashtruan draftin në atë takim, edhe pse e dinin JO-në e Kurtit.
Kështu dështoi dhe ai takim, i katërti me radhë brenda 45 ditëve të para pas dakordësimit në Ohër. I pari më 24 Prill në zgjedhjet vendore në veri me pjesëmarrjen e ulët rekord as 3 për qind, më 25 Prill takimi në Strasburg ku Serbia doli hapur kundër Ohrit për antarësimin e Kosovës në KiE dhe i treti në Nju Jork, ku Beogradi u stërbetua se nuk do ta njohë Kosovën, se ajo do të mbetet pjesë e Serbisë! Dhe se Ohrin e do vetëm për Asociacionin, që ta ketë si ” gozhdën e Nastradinit” për planet e tjera ogurzeza ndaj Kosovës.
Siç e kemi nënvizuar në shkrimet e fundit e vetmja zgjidhje për Asociacionin është që të dyja palët, me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve të bien dakord në parim që ai nuk do të ketë fuqi ekzekutive, dmth nuk do jetë shtet vendor parale brenda shtetit. Modeli është gati, ai i Serbisë me Kroacinë, shumë përkatësor, ndaj nuk ka pse ” kërkojmë gjilpërë në kashtë”. Kur të biet dakord ”në frymë”, atëhere dhe ”për gërmat” është më e lehtë; pastaj ulen ekspertët dhe përgatisin draftin. Ndryshe, të dyja palët do të vazhdojnë ” të rrahin ujë në havan” ”leximi në klasë” do të vijojë, duke i shtyrë gjërat në kalendat greke.
2. Rroftë Mbreti! Ky ishte mesazhi madhështor që dha Londra më 6 Maj në ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles III, 7 dekada pas Nënës së tij, Mbretëreshës emblematike Elisabeta II. Ceremoni dinjitoze mbetërore në të gjitha aspektet, duke rrezatuar një imazh tjetër të lakmueshëm në mbarë botën. Megjithë problemet, dritëhijet dhe dyshimet, ajo ceremoni dhe Mbreti i ri me qëndrimet e tij që ia kanë shtuar popullaritetin tregon se Monarkia Kushtetuese mbetet opsion i parapëlqyer i britanikëve por dhe në të gjitha vendet e tjera ku ku këto monarki janë konsoliduar. Ato dhe trashëgimtarët e tyre, me Princ Williams&Kate si modeli më frymëzues po e modernizojnë dhe demokratizojnë monarkinë, duke e afruar atë përherë e më shumë te populli. Kjo nëpërmjet projekteve të shumta dhe domethënëse, por dhe për shumë arsye të tjera bindëse. Tani, nëse presidentët, përfshirë dhe ata të zgjedhur nga populli në vendet republikane do të kishin dhënë shembuj më të mirë, ok, por realiteti tregon të kundërtën. Për të mos folur pastaj se për zgjedhjen e tyre klasat politike kudo ” heqin të zitë e ullirit”. Ndaj, me të drejtë britanikët dhe kudo më 6 Maj brohoritëm ” Rroftë Mbreti, dhe u luten si te himni britanik ” O Zot na e mbro Mbretin!
3. Zelenski hapet, Putini mbyllet! Këtë e tregoi sërish Presidenti Zelenski me vizitat dhe takimet e tij zyrtare më 13-15 Maj në Romë, Gjermani, Paris dhe Londër. Në të 4 vendet u rikonfirmua fuqishëm mbështetja e gjithanshme për Ukrainën kundër agresorit rus. Natyrisht më e begatë ishte kjo vizitë në Gjermani, për vetë peshën e madhe politike, ekonomike dhe ushtarake të këtij vendi dhe debatet kundrathënëse që ka patur midis tyre deri kohët e fundit, kryesisht për shkak të vonesave dhe hezitimeve gjermane për livrimin e armëve të rënda Ukrainës. Me takimin me Kancelarin Scholz dhe Presidentin Steinemeier dhe me falenderimin e Zelenskit në gjermanisht ”Danke Deutschland”, marrëdhëniet mes tyre hynë në një epokë të re. Po ashtu, Zelenski u nderua me Çmimin më të lartë gjerman ” Charlemagne” ose ” Karli i Madh” Mbi të gjitha ai siguroi mbështetjen politike, ekonomike dhe ushtarake gjermane me paketën e re prej 2,7 Miliard Euro, me Tanke Leopard, municione dhe sistemet e sofistikuara të mbrojtjes kundërajrore. Tani Gjermania është mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas SHBA-ve, një kërcim i madh kur mendon se një vit më parë ajo e filloi në mënyrë qesharake vetëm me 5.000 helmeta. Ky tur europian ridëshmoi se ai dhe Ukraina po fitojnë përkrahje gjithnjë më të madhe ndërkombëtare. E kundërta po ngjet me Rusinë dhe Putinin. Ky i fundit, me përjashtim të ndonjë vizite ” blic” në rajonet e pushtuara nga rusët, nuk guxon të dalë jashtë as jashtë Moskës, mbasi jo vetëm nuk e fton njeri por dhe i trembet fletës së arrestit ndërkombëtar.
4.”Tërmet zgjedhor ” në Tiranë por jo në Turqi!
14 Maji e gjeti Tiranën dhe Turqinë në zgjedhje. Ndonëse te ne ato normalisht ishin vendore dhe jo politike, për shumë shkaqe të njohura ato ishin po aq, në mos dhe më të rëndësishme se zgjedhjet parlamentare, sidomos për të parë fuqinë e vërtetë të opozitës pas bojkotit të tyre më 2020.
Gjithsesi, ato as që mund të krahasohen me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi, për shkak të peshës jashtëzakonisht të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake turke. Por dhe faktit se Presidenti i tanishëm Erdogan ka 21 vite në pushtet me të gjitha problematikat dhe shqetësimet e njohura. Me një ekonomi në rënie, inflacion në rritje, mbi 50.000 viktima nga tërmeti shkatërrimtar dhe probleme të tjera. Por dhe me rolin e saj strategjik në Europë dhe më gjerë. Ca më tepër që ndryshe nga Rama, Erdogani këtë radhë kishte përballë një opozitë të bashkuar dhe me ish aleatë të tij, me programe dhe alternativa premtuese. Mirëpo, ”Tërmeti” i shumëpritur zgjedhor në Turqi ndodhi vetëm në Tiranë; ku ”Rithemelimi” dhe ” Bashkë fitojmë” pësuan një ”Waterlo” të vërtetë dhe në kështjellën e tyre tradicionale në Shkodër. Ndërsa në Turqi, ku Erdogan dhe Kiliçdaroglu janë ” rrotë më rrotë” dhe do të ”rindeshen” më 28 Maj. Megjithë ”mëkatet dhe kusuret demokratike” të Presidentit Erdogan, opozita e bashkuar turke dhe këtë radhë nuk siguroi dot as shumicën parlamentare dhe as atë presidenciale. Kështu që do të na duhet ”të mbajmë frymën” dhe për dy javë të tjera.
© 2023 Argumentum