Partia Socialiste ka arritur të fitojë 53 Bashki në vend, në zgjedhjet vendore që u mbajtën të dielën e 14 majit ndërsa Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” ka fituar drejtimin e 7 bashkive.
Bashkitë e fituar nga Partia Socialsite në: Kamëz, Vorë, Elbasan, Pustec, Kolonjë, Librazhd, Dropull, Tropojë, Roskovec, Libohovë, Rrogozhinë, Këlcyrë, Gramsh, Belsh, Përmet, Delvinë, Selenicë, Tepelenë, Peqin, Poliçan, Devoll, Lushnjë, Bulqizë, Mat, Klos, Korçë, Kuçovë, Sarandë, Dibër, Skrapar, Cërrik, Patos, Prrenjas, Berat, Vau i Dejës, Mallakastër, Vlorë, Konispol, Maliq, Lezhë, Dimal, Mallakastër, Divjakë, Shijak, Përmet, Pogradec, Mallkastër, Kukës, Malësi e Madhe dhe Kurbin. Kryeqyteti dhe bashkia më e rëndësishme Tirana është marrë nga PS me një fitore të thellë. Erion Veliaj fitoi me një diferencë mbi 58 mijë vota me Belind Këlliçin.
Ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka arritur të fitojë në total vetëm në shtatë bashki Kavajë, Pukë, Has, Himarë, Memaliaj, Mirditë, Fushë Arrëz. Në Finiq fitoi partia MEGA me kandidatin Romeo Çakuli. Dyshja Berisha-Meta nuk arritën që të fitonin as në vendet e tyre të lindjes, në Tropojë dhe Skrapar, bashki këto të “veshura rozë” në këto zgjedhje vendore.
E ndërsa Partia Demokratike zyrtare nën drejtimin e Enkelejd Alibeaj që është forcë e tretë në 14 Bashkitë ku ka pasur kandidat nuk numëron asnjë fitore.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin mbi 3.6 milionë qytetarë ndërsa në garë ishin 144 kandidatë.
Në 61 bashki të vendit ishin të hapura 5213 qendra votimi, ndërsa në bashkitë Kamëz, Vorë dhe Elbasan për herë të parë u mbajt votim dhe numërim elektronik.
Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama ka falënderuar sot të gjithë qytetarët që votuan kandidatët e PS-së në zgjedhjet e 14 majit.
Për herë të parë, Partia Socialiste do të drejtojë Bashkinë Shkodër me Benet Becin në krye, bashki e cila që prej vitit 1992 është drejtuar nga kandidatët e Partisë Demokratike.
Sipas rezultateve të KQZ-së, Beci kryeson me 34 470 vota dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia me 22 769 vota.
Kryeministri deklaroi mbrëmjen e djeshme se pas kthimit nga Samiti i Liderëve të Këshillit të Europës në Islandë do të nisë turin e falenderimeve nga Shkodra, ku theksoi vendosmërinë që të bëjë një histori të re në qytetin verior në shumë dimensione.
“Unë e kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër, për të nisur nga qyteti më i bekuar nga Zoti dhe më i keqtrajtuar nga robi, një tur falenderimi në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.
Ai theksoi se duhet të bëjnë jo atë që kanë thënë, po edhe më shumë sepse Shkodra u dha jo një shans, po një besim shumë të fortë.
Rama vuri në dukje se “ky është një besim shumë i fortë që mund të kthehet në një kohë, jo shumë të gjatë në një mosbesim shumë të madh nëse ne nuk jenë në lartësinë e kësaj sfide”.
“Unë i bëra një sfidë Shkodrës disa herë. Dështova disa herë. Këtë herë Shkodra më ka bërë mua dhe na ka bërë ne një sfidë më të madhe se të gjitha sfidat që ne i bëmë të marra së bashku”, deklaroi Rama duke shtuar se Shkodra është kryefjala e mandatit që sapo do të nisë pas disa muajsh.
Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së Sali Berisha reagoi sot në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit dhe raportin e OSBE/ODIHR.
Në një deklaratë për mediet, Berisha vlerësoi raportin OSBE/ODIHR, ndërsa theksoi se ky raport, ndonëse paraprak nxjerr në pah problematikat e zgjedhjeve, pasi, sipas tij, u shtrembërua vota e shqiptarëve.
“Farsa zgjedhore 2023 si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Europës, po kundërmon çdo ditë e më shumë. Me këtë rast, unë vlerësoj raportin e OSBE/ODIHR, të Autoriteteve Lokale Rajonale dhe të Parlamentit Europian, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit. Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve shqiptarë nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit. Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysmë fraze nga përfaqësuesit e nderuar të institucioneve më prestigjioze të vëzhgimit të zgjedhjeve në Europë, OSBE/ODIHR, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, dështuan”, tha ai.
Po ashtu, Berisha tha se kësaj shëmtie elektorale, opozita me besimin më të madh do t’i përgjigjet në mënyrën më të fuqishme.
“PD ka në disponim me qindra fakte, dokumente, me të cilat Edi Rama ka ndërhyrë dhe ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Ka me dhjetëra padi në organet të cilat janë kryekëput vegla të partisë-shtet. PD do paraqesë një raport shumë serioz pranë të gjitha autoriteteve që vëzhguan zgjedhjet në Shqipëri dhe kancelarive të vendeve mike për të faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme dhunimin masiv të të drejtës dhe rezultatit të këtyre zgjedhjeve. Pra, kësaj shëmtie elektorale, opozita me besimin më të madh do i përgjigjet në mënyrën më të fuqishme. Ne nuk heqim dorë nga zotimi solemn që shqiptarët të votojnë të lirë”, tha Berisha.
I pyetur për zgjedhjet në Shkodër, Berisha se Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë.
“Të gjitha pollet e kundërshtarëve tanë, por dhe tonat, e nxirrnin Bardh Spahinë 14 gjer në 16 pikë përpara. Nëse mendon ti apo ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin pa pasqyrë. Unë kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe joshtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar, në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra-milionë euro dhe jam i bindur se qytetarët e Shkodrës, zgjedhën e krimit, pushtetin e krimit, nuk do ta pranojnë. Kjo është përgjigjja ime për ju”, tha ai.
Gjithashtu, Berisha tha se përkundrejt kësaj stuhie të hapur për asgjësimin e opozitës, opozita qëndroi fuqishëm.
“Unë po flas qartë se kemi të bëjmë me procesin më të shëmtuar në historinë e vendit. Kemi të bëjmë me një proces ku qytetarët shqiptarë nuk votuan të lirë. Mbi bazën e saj, PD dhe koalicioni do marrë të gjitha vendimet. Nuk mundet populli opozitar, një gjë u faktua, siç e patë, përkundrejt kësaj stuhie të hapur për asgjësimin e opozitës, opozita qëndroi fuqishëm”, tha Berisha.
/Argumentum.al