Amerika ka urdhëruar sot të gjithë punonjësit qeveritarë jo-emergjentë që të largohen nga Iraku, mes frikës në rritje se mes SHBA dhe Iranit do ketë një konflikt. Departamenti i Shtetit urdhëroi tërheqjen e punonjësve nga ambasada amerikane në Bagdad dhe nga konsullata në Erbil, thuhet në një deklaratë zyrtare.
Të martën, ushtria amerikane konfirmoi shqetësimet për një rrezik të mundshëm nga Irani për trupat amerikane në Irak. Por një gjeneral britanik tha se nuk ka vënë re ndonjë rrezik të rritur. Komentet e gjeneralit Chris Ghika u kundërshtuan menjëherë nga amerikanët, që thanë se kërcënimi është i besueshëm.
Të mërkurën, agjencia Reuters raportoi se disa burime sigurie kanë deklaruar se gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo në Irak në fillim të këtij muaji, ai u tha komandantëve në Irak se ka të dhëna se luftëtarët iranianë po pozicionojnë raketa pranë bazave amerikane.
Amerikanët nuk kanë një prezencë diplomatike në Iran. Ambasada zvicerane përfaqëson interesat amerikane në këtë vend. Po në fillim të këtij muaji, SHBA dërgoi një aeroplanmbajtëse dhe disa avionë bombardues B-52 në rajon.
Të martën, amerikanët fajësuan Iranin se ka përdorur eksploziv për të dëmtuar katër cisterna në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
I pyetur për aktet e sabotazhit, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Teherani do vuajë shumë nëse e zemëron Uashingtonin, duke paralajmëruar “probleme të këqija për Iranin nëse ndodh diçka”.
Incidenti në Gjirin e Omanit ka shtuar frikën për një konfrontim ushtarak përgjatë arteries më të rëndësishme në botë për naftën. Kjo frikë vjen pas rënies së marrëveshjes së vitit 2015, që kishte për qëllim të kufizonte ambiciet bërthamore të Iranit.
Pasi ka dërguar aeroplanmbajtësen ‘Abraham Lincoln’ në rajon, SHBA ka dërguar atje edhe bombarduesit B-52 dhe një anije sulmi.
Shefi në detyrë i Pentagonit, Patrick Shanahan ka paralajmëruar se në Lindjen e Mesme do të dërgohen 120 mijë trupa në rast se Irani përshpejton zhvillimin e armëve bërthamore ose sulmon forcat amerikane.
Por ndërsa SHBA po paralajmëron gjithmonë e më shumë një sulm të mundshëm mbi Iranin, liderët europianë janë të shqetësuar. Ata kanë bërë thirrje që të bëhet kujdes, pasi lufta mund të nisë edhe aksidentalisht.