Stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” nisi ditën e sotme në Shqipëri, ndërsa solli në vendin tonë 24 mijë trupa të NATO-s dhe SHBA-së që deri më datën 22 qershor do të kryejnë stërvitje ushtarake në vendin tonë. Nisja e kësaj stërvitjeje u kremtua me një ceremoni të veçantë në sheshin ‘Nënë Tereza’, ku u ekspozuan mjete ushtarake, e ndërsa të pranishëm ishin Presidenti Barjam Begaj, kryeministri Edi Rama, ambasadorja Yuri Kim, ministri Niko Peleshi. Këtë stërvitje kryeministri Edi Rama e cilësoi si një pikë kulmore për vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së stërvitjes Defender Europes 2023 tha se kjo stërvitje tregon vëmendjen e NATO për të qenë bashkë në sfidat.
“Faleminderit për praninë tuaj në këtë ditë të veçantë për hapjen e stërvitjesh, në veçanti falënderim për aleatin tonë strategjik SHBA-të. Defender Europe 23 është një stërvitje që drejtohet nga SHBA, e cila qëndron qartazi angazhimin e SHBA dhe NATO-s si mbrojtës të demokracive. Të qëndrojmë së bashku kundër kërcënimeve të mundshme, dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe unitetit. Kjo stërvitje na mundëson forcimin e kapaciteteve tona. Mesazh për kundërshtarët tanë të mundshëm që ne jemi të përgatitur dhe të bashkuar për të përballuar sfidat e përbashkëta”, tha Kingji.
Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot nisjen në Shqipëri të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe, drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së “Defender 2023”, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Rama u shpreh se, organizimi për herë të dytë në Shqipëri i stërvitjes më të madhe ushtarake në Evropë është një privilegj i posaçëm për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilat janë pritëse dhe pjesëmarrëse të kësaj stërvitjeje.
Rama vlerësoi se, organizimi i “Defender 2023” për herë të dytë në Shqipëri vë në pah edhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake, falë edhe mbështetjes së paçmuar të aleatëve tanë amerikanë dhe aleatëve të tjerë të vendeve të NATO-s.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot, e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit krah për krah me SHBA-të si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës, ajo merr një profil dhe një rol, që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe e vë në dukje se çfarë përparimi dhe çfarë pjekurie ka arritur vendi ynë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se, zhvillimi i kësaj stërvitje me praninë e trupave shumëkombëshe nën drejtimin e SHBA-së, është shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të gjithë komunitetit euroatlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngihen shoqëritë tona.
“Stërvitja na kujton se pavarësisht gjuhës që flasim e flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me ato vlera e parime që janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Të gjithë së bashku jemi të imponuar nga historia jonë dhe ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë”, theksoi Rama.
Defender Europe lindi si një stërvitje për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Aleancës në rast konflikti a kërcënimi. Me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe nga ai i dy viteve më parë dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse. Këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në rajonin tonë të brishtë të Ballkanit Perëndimor, ku aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne, përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre. Prandaj dhe rëndësia e kësaj stërvitje është sot më e prekshme se kurrë dhe vazhdueshmëria e saj më se e nevojshme.
Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë. Padyshim meritat për këtë i takojnë secilit prej burrave dhe grave në uniformë që shërbejnë në Forcat tona të Armatosura dhe nderojnë dhe lartësojnë çdo ditë flamurin e Shqipërisë. Ju jeni një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe mirënjohja për angazhimin dhe profesionalizmin tuaj nuk mund të shprehet mjaftueshëm. Unë ndihem krenar, që kam qenë njëri prej jush; e në pozitën time si Komandant i Përgjithshëm inkurajoj qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për Forcat e Armatosura dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.
Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit; është një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrësesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet. Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale. Ju faleminderit të gjithëve për përkushtimin. Kur të rishihemi përsëri pas dy vitesh për Defender Europe 2025, uroj vetëm që situata globale e sigurisë të jetë më e qetë, sepse nuk kam pikë dyshimi, që Shqipëria do vazhdojë gjithnjë të mbrojë vlerat e paqes dhe unitetit, duke qëndruar gjithnjë krah-për-krah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë të NATO-s. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe miqtë tanë!’- tha Begaj.