Për të tretën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave, ndersa disa here situata eshte përshkallëzuar në përplasje të ashpër mes protestuesve dhe KFOR-it
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke bërë përgjegjes drejtperdrejtë qeverinë e Kosovës. Kjo sepse kryeministri Kurti kërkoi nga kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të ushtronin detyrën e tyre më 26 maj.
Sekretari i Shtetit Anthony Blinken u bëri thirrje të martën të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e së hënës kundër trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe gazetarëve, që ai e quan “të papranueshme”.
Kjo është deklarata e dytë, që nga e premtja, që sekretari amerikan i shtetit fajëson qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës. “Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet”, shprehet zoti Blinken.
“Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij”, thekson ai, “duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre.
Presidenti Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gadishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’i bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”, thekson Sekretari Blinken.
Kryediplomati amerikan u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë, siç shprehet ai “të ripohojnë menjëherë angazhimin për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve”.
Për situatën aktuale në veri të Kosovës, ka folur sot edhe Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Ai deklaroi se do të jetë Kosova ajo që do t’i bartë pasojat sepse nuk i ka dëgjuar këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Prishtina do t’i bartë pasojat për mosdëgjimin e Uashingtonit dhe ngjarjet aktuale do të ndikojnë në marrëdhëniet tona”, tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.
Hill, në një fjalim para gazetarëve në Beograd, tha se këto janë ditë shumë të vështira në Kosovë dhe rikujtoi se Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha se SHBA-të kundërshtojnë lëvizjet e Prishtinës dhe se mund të ketë pasoja për këtë.
Hill gjithashtu theksoi se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe se është shumë e rëndësishme që të mos përsëriten.
“Nuk duhet të humbasim busullën dhe drejtimin e lëvizjes, që është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe normalizimi i marrëdhënieve përmes dialogut”, tha Hill.
“Është e nevojshme që situata në rajon të qetësohet dhe të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit euroatlantik”.
Deklarimet e tij pasojnë një vendim të SHBA-së e cila ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës, FSK-në, nga manovrat ushtarake, “Defender Europe 2023”, vetëm tre ditë para përfundimit të tyre.
Po keshtu per situatën e fundit në veriun e Kosovës është deklaruar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në konferencë për sigurinë që po mbahet në Bratisllavë, ai tha se autoritetet e Kosovës mbajnë përgjegjësi për trazirat atje.
“Autoritetet e Kosovës mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën në komunat me shumicë serbe”, ka thënë ai.
Nderkohe Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se situata në veri të Kosovës duhet të depërshallëzohet urgjentisht. Ai ka takuar kryeministrin Albin Kurti, në margjinat e forumit që po mbahet në Bratislavë.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së ka thënë se situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.
“Takova kryeministrin Albin Kurti, në Bratislavë, për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Kemi nevojë për depërshkallëzim urgjent dhe zgjidhje përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, ka shkruar ndër të tjera Borrell i cili në takim ishte i shoqëruar edhe nga emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak
Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, shtuan masat e sigurisë para ndërtesave të komunave në Zvecan, Zubin Potok e Leposaviq në veri të Kosovës, ndërsa grupe serbësh u mblodhën sërish me kërkesat për largimin kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave dhe të njësive të posaçme të policisë së Kosovës.
NATO-ja vendosi të martën të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë për të përforcuar praninë e saj pas trazirave të së hënës kur grupe serbësh u përplasën me forcat e KFOR-it duke plagosur 30 ushtarë.
Tensionet në zonë u rritën pasi të premten e kaluar kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët, hynë në ndërtesat komunale për të marrë detyrën.
Serbia e vuri ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe dërgoi më shumë trupa në kufirin me Kosovën.
Kujtojme se Serbët bojkotuan zgjedhjet lokale të muajit të kaluar të mbajtura në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën. Të premten e kaluar, kryebashkiakët e sapozgjedhur shqiptarë u vendosën në zyrat e tyre me ndihmën e policisë së Kosovës.
Serbët u përpoqën t’i pengonin ata të merrnin objektin, por policia hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Të hënën, serbët u përfshinë në përleshje të ashpra me paqeruajtësit e NATO-s, duke lënë të plagosur më shumë se 50 rebelë dhe 30 trupa ndërkombëtare.
Bojkoti i zgjedhjeve pasoi një dorëheqje kolektive të zyrtarëve serbë nga zona, duke përfshirë stafin administrativ, gjyqtarët dhe oficerët e policisë, në nëntor të vitit 2022.
/Argumentum.al