REALPOLITIK FLASH NR. 69
17 – 31 MAY 2023
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh
Dr. JORGJI KOTE
1. G-7 me pesë mesazhe madhore! Nga 18 – 20 Maj, në qytetin martir Hiroshima u mbajt Samiti i 7 vendeve më të zhvilluara të botës me pesë mesazhe madhore gjeopolitike. Mesazhi i parë ishte shtimi i trysnisë dhe demarsheve diplomatike për pakësimin e armatimit bërthamor dhe mospërdorimin e tij në asnjë rrerthanë. Mbajtja e Samitit në Hiroshima ishte mesazh kuptimplot.
Mesazhi tjetër ishte vazhdimi i mbështetjes së Aleancës Perendimore për Ukrainën “ për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”. Liderët e G7 premtuan ndihma të shumta të çdo lloji; më e rëndësishmja ishte dakordësimi i tyre për të krijuar Koalicionin e Avionëve luftarakë, për t’i dhënë Ukrainës shumë F-16. Në vijim ishte dënimi me forcë i agresionit rus dhe rritja e presionit mbi Moskën për t’u tërhequr nga Ukraina, si e vetmja mënyrë për t’i çelur rrugën paqes, miratimi i paketave të tjera me sanksione shmë më të ashpra ndaj Rusisë me mallra dhe shërbime jetike; më tej, Kina u përcaktua njëzëri si rival, partner dhe konkurent; ata shprehën qëndrimin e përbashkët kundrejt Kinës se Perëndimi nuk synon të frenojë, dëmtojë dhe ta pengojë atë dhe ekonominë e saj, por vetëm të minimizojë rreziqet që vijnë nga qëndrimet e njanshme kineze, mungesa e transparencës, shqetësimet mbi të drejtat e njeriut në Tibet dhe provokimet në Ngushticën e Tajvanit.
Së fundi, G-7 u shpreh në favor të projekteve dhe programeve për një bashkëpunim më të madh me shtetet e hemisferës jugore ( Jugu Global)- Brazili, India, Indonezia dhe të tjerë, në mënyrë që dhe ato vende të bashkohen me koalicionin kundër Rusisë.
2. Shumë zhurmë por asgjë!
Gjatë këtij muaji dhe në dy javët e fundit, u vu re një rritje e interesimit dhe mbështetjes nga diplomacia amerikane për rajonin tonë.
Kështu, më 27 Prill u emërua ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, David Kostekancik, njohës brilant i vendit dhe rajonit tonë; 10 ditë më parë u emërua Ndihmës sekretari i ri i Shtetit për Europën, James O’Brien, autoritet në fushën e Ballkanit Perendimor, ekspert elitar në fushën e demokracisë, luftës kundër korrupsionit, etj. Ndërsa më 19 Maj, gjendja dhe sfidat madhore gjeopolitike në Ballkanin Perendimor u bënë objekt i një debati të posaçëm në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan, ku raportuan Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan Derek Chollet dhe zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, i Ngarkuari për rajonin tonë, Gabriel Escobar. Muajt e fundit të dy ata bashkë me homologët e tyre të BE-së kanë qenë, siç i thonë fjalës, “java shtatë dhe dita tetë“ në kryeqytetet e rajonit.
Mbas këtij debati, më 21 – 25 Maj, dy senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters shkuan në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Shkup dhe në Tiranë, ku zhvilluan bisedime me autoritetet më të larta shtetërore, qeveritare, parlamentare dhe diplomatike të këtyre vendeve me demarshe për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Më tej, me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, në mesin e muajit Maj ishte për vizitë njëjavore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë ( KAA) i kryesuar nga Presidenti i tij, Timothy Chorba, të cilin e kemi shtjelluar në shkrimin “ KAA-ja dhe KASH në Rajon”
Edhe BE-ja më 22 Maj organizoi në Bruksel takimin e Këshillit me 6 liderët e Ballkanit Perendimor. Megjithatë, ajo çka po ndodh na kujton më tepër thënien e Shekspirit “ Shumë zhurmë për( por) asgjë” Jo vetëm se nuk ka shenja përparimi në rajon, sidomos në dialogun Prishtinë – Beograd dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por gjërat po shkojnë “ nga shiu në breshër”. Deri te incidentet e rrezikshme dhe konfrontimet e dhunshme që vijojnë nga 26 Maji në veri të Kosovës; ku kryetarët e 4 komunave të zgjedhur demokratikisht kërkuan thjesht të paraqiten në detyrë, përkundrejt sulmeve të dhunshme nga forca serbe.
Policia e Kosovës thjesht u përpoq t’i ndihmonte ata që të futeshin në zyrat e tyre. Çuditërisht, kjo u fshikullua dhe me vendosje sanksionesh politike nga SHBA-të dhe BE-ja, a thua se ishte Prishtina ajo që krijoi këtë gjendje, e duke mos belbëzuar asnjë fjalë të vetme ndaj Beogradit që e provokoi atë situatë. Edhe pse Presidenti Vuçiç vazhdon të sfidojë Perenëdimin, me përbetimin se nuk do ta njohë Kosovën dhe nuk do të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, me përjashtim të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe prapë aleatët tanë të mëdhenj duan thjesht ta “ mbajnë mirë “ me Beogradin, se mos na mërzitet e shkon me Rusinë”!
E kemi përmendur dhe më parë, se situate atje është në qorrsokak. Ajo çka nevojitet për të dalë nga ky batak politik dhe diplomatik është kthesa180 gradë në qëndrimet perendimore; veç jo duke e trajtuar Beogradin si “ të nënës dhe Prishtinën si të njerkës”. Ndryshe, ndërkohë që synon ta nxjerrësh Rusinë jashtë nga dera, ajo mund të futet nga dritarja”!
3. Turqia erdoganiste: Një binom i vërtetë historik ky mbas rizgjedhjes së Erdoganit President mbas balotazhit të 28 Majit me 52 për qind, kundrejt 48 për qind të rivalit të tij të opozitës së bashkuar turke.
Kështu, Erdogani bëhet lideri turk me jetën më të gjatë politike, duke ia kaluar dhe legjendarit Ataturk. Kjo fitore erdhi megjithë inflacionin galopant 90 për qind, pesëfishimin e borxhit, demokracisë në rrënim, 56.000 viktima nga tërmeti shkatërrimtar, etj. Megjithatë, shumica e turqve parapëlqyen vazhdimësinë autokratike me Erdogan. Sërish, fitoi nacionalizmi, feja, populizmi. Kësisoj, tashmë kemi vërtet Turqi erdoganiste. Sigurisht që homologët e tij perendimorë e përgëzuan, sipas thënies “ kërcen prifti nga belaja”
4. Shtyhet fitorja historike! Partia “ Demokracia e Re” e Kryeministrit grek Mitsotakis korri një fitore plebishitare më 21 maj me 42 për qind, kundrejt 20 për qind të të kundërshtarit të saj të majtë “Syriza” të ish kryeministrit Tsipras. Por, meqenëse i duhen dhe 4 vende në parlament për shumicën absolute, sipas ligjit të ri zgjedhor, grekët do të shkojnë sërish më 25 Qershor në kutitë e votimit, ku Mitsotakis i ka të sigurta vendet që i duhen për të qeverisur i vetëm.
Kjo fitore në përpjestime të tilla ishte befasuese, sidomos mbas aksidentit hekurudhor ku humbën jetën 59 grekë, skandalin e përgjimeve, etj. Gjithsesi, qeveria Mitsotakis u tregua e përkushtuar në përballimin e shumë sfidave dhe ëvshtirësive të shkaktuara nga COVID – 19 dhe realizoi disa tregues të kënaqshëm ekonomikë. Ja pse, një mandat i dytë për Mitsotakis është plotësisht i merituar, i nevojshëm dhe i justifikuar!
© 2023 Argumentum