Marjana DODA
Turneu i Përfaqësuesit Special të Kinës për Çështjet Euroaziatike Li Hui, mbi krizën në Ukrainë përfundoi pas një udhëtimi gati dy-javor ( nga 15 deri më 26 maji) nëpër Evropë duke përmbyllur hapin e parë e një misioni paqeje.
Li Hui, përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet euroaziatike, u takua me liderë dhe diplomatë të lartë, duke shkëmbyer mendime mbi zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë. Gjatë këtij udhëtimi që filloi më 15 maj, në Ukrainë, Poloni, Francë, Gjermani, seli e BE-së në Bruksel dhe Rusi u pa qartë se këto palë pranojnë rolin vendimtar të Kinës në promovimin e bisedimeve të paqes.
Kjo vizitë nisi pikërisht me Ukrainën, si vendi që sot po përjeton drejtpërdrejt pasojat e një konflikti të përgjakshëm ku i dërguari kinez theksoi nevojën e krijimit te kushteve për përfundimin e konfliktit dhe nxitjen e bisedimeve të paqes. Dhe u përmbyll me Rusinë, e cila me shumë se kurrë me parë gjendet në një izolim ndërkombëtar përballë këtij konflikti me Ukrainën.
Li Hui u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe zhvilloi bisedime të veçanta me shefin e zyrës së Presidentit ukrainas Andriy Yermak, Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dhe zyrtarë të ministrive ukrainase të infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjes.
Ukraina shprehu kënaqësinë e saj për pritjen e të dërguarit special të Kinës menjëherë pas bisedimeve telefonike midis liderëve. Ai tha se i kushton rëndësi të madhe rolit të rëndësishëm të Kinës në çështjet ndërkombëtare si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mirëpret rolin pozitiv të Kinës në përfundimin e konfliktit dhe rivendosjen e paqes.
“Kina ndjek gjithmonë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, mban një qëndrim objektiv dhe të drejtë dhe promovon në mënyrë aktive bisedimet e paqes. Kina gjithmonë bën gjykimin e saj në mënyrë të pavarur bazuar në meritat e çështjes. Kina qëndron gjithmonë në anën e paqes dhe dialogut dhe në anën e duhur të historisë”, tha Li Hui ndërsa zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Moskë.
Li Hui zhvilloi bisedime me zyrtare nga Polonia, Franca, Gjermnaia, Brukseli, si vende me role kyçe në Europë duke theksuar se Kina ka mbajtur gjithmonë një qëndrim objektiv dhe të paanshëm për çështjen e Ukrainës dhe promovon në mënyrë aktive bisedimet e paqes.” Kina mbështet forcimin e autonomisë strategjike të vendeve evropiane dhe përpjekjet për stabilitetin afatgjatë të kontinentit evropian”, theksoi ai
Të gjitha këto vende mirëpritën rolin e Kinës për të lehtësuar dhe qetësuar tensionet aktuale dhe për të siguruar paqen sa më shpejt të jetë e mundur.
Franca e vlerëson shumë vizitën e Përfaqësuesit Special Li Hui dhe pret që Kina të vazhdojë rolin e saj konstruktiv në ndërprerjen e armiqësive.
Gjermania duke vlerësuar përpjekjet pozitive të Kinës për të de-përshkallëzuar krizën në Ukrainë, theksoi se është shumë e dobishme dhe e nevojshme që Gjermania dhe Kina të forcojnë dialogun për një sërë çështjesh kryesore ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë çështjen e Ukrainës.
Zyrtarët e BE-së, gjithashtu folën mirë për rolin pozitiv që Kina luajti në zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe thanë se vlerësojnë parimet në dokumentin që përshkruan pozicionin e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë. BE ndan shumë interesa të përbashkëta në lidhje me çështjen e Ukrainës me Kinën.
Por këto takime të të dërguarit kinez dhe kjo iniciativë e Kinës për të te ecur drejt rrugës së paqes nuk është pritur nga të gjitha po aq mirë sa në Europë.
Madje në mediat ndërkombëtare perëndimore raportimet rreth këtij turneu ishin të veshura me një tis dyshimi.
The Wall Street Journal raportoi se “Një zyrtar Perëndimor që di bisedimet midis ambasadorit kinez dhe qeverive europiane” bëri të ditur se, Kina propozoi një plan të ndalimin e zjarrit, duke pranuar që Rusia të zërë tokën e Ukrainës të pushtuar. Për këtë, kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba publikoi më 27 maj një video në Facebook, duke e hedhur poshtë.
“Kam kontaktuar menjëherë kolegët e mi në kryeqytetet e vizituara (Li) dhe të gjithë ata konfirmuan se nuk kishte pasur bisedime apo negociata për njohjen si Rusi të atyre territoreve (ajo aktualisht kontrollon) në Ukrainë”, tha Kuleba në një video-mesazh në faqen zyrtare Facebook.
“Askush nuk do të bëjë asgjë kundër nesh pas shpinës së Ukrainës, sepse ne kemi ndërtuar marrëdhënie besimi me të gjithë partnerët tanë kryesorë”, shtoi ai.
Turneu evropian i të dërguarit të posaçëm ndonëse dëshmoi se roli i Kinës në promovimin e paqes është i pranuar gjerësisht, sërish perëndimi vijon këtë propagandë kundër qasjes së Kinës për zgjidhjen e këtij konflikti.
Që në krye të herës, sapo Kina shpalosi, qëndrimin e saj me 12 pika, për konfliktin Rusi-Ukrainë, me propozime konkrete, menjëherë u gjendem para një furie skepticizmi, dizinformimi që vinin nga çdo front, politik, social, mediatik nga vendet perëndimore.
Nuk është e habitshme se çdo propozim që vjen nga Kina, apo nga një vend tjetër përveçse nga vendet perëndimore shihet me një pikëpyetje të madhe e me prapavije të rrezikshme.
Është e kuptueshme deri diku pasi çdo shtet kërkon të mbrojë interesat e veta politike dhe primatin në arenën globale.
Megjithatë, në këndvështrimin tim, ndërsa jemi para një lufte faktike prej 16 muajsh , me humbje të mëdha njerëzore, ekonomike dhe me një deficit të madh politik, them se nuk ka vend për skepticizëm apo mosbesim nga çdo iniciative paqeje pavarësisht se nga vjen ajo.
Fatkeqësisht edhe pse nisma e saj e paqes për t’i dhënë fund luftës ruso-ukrainase, ka marrë tashmë rrugën e saj, tentohet të minohet kjo rruge kineze e paqes.
Duhet ta theksojmë se ky turne në Europë nga emisari kinez është për të gjetur “shtegun” drejt paqes.
Që do të thotë se Kina nëpërmjet këtij udhëtimi me disa ndalesa të rëndësishme, së pari ishte për të bërë të qartë pozicionin dhe propozimet e saj, por dhe të dëgjojë mendimet dhe këshillat e palëve të ndryshme dhe të ndërtojë mirëkuptime të përbashkëta ndërkombëtare. Pra, ajo në këtë faze nuk ishte përcaktuese për kushtet e paqes por dëgjuese, udhërrëfyese, e këshilluese, çka përbëjnë hapat e pare për një rrugë të sigurt drejt paqes.
Kjo vizitë e Përfaqësuesit Special Li Hui, u mirëprit dhe u mbështet, qoftë nga protagonistët e kësaj krize, por dhe të gjitha palët e interesuara për ti dhënë fund këtij konflikti në Europë.
Asgjë nuk është rastësore. Kina e ka treguar me ndërmarrjen e hapave të njëpasnjëshëm qasjen e saj për një zgjidhje paqësore të kësaj krize.
Në përvjetorin e parë të luftës Rusi-Ukrainë, Kina publikoi një propozim prej 12 pikash për paqen – “Pozicioni i Kinës për Zgjidhjen Politike të Krizës së Ukrainës” – që u prit me skepticizëm në kryeqytetet perëndimore duke pasur parasysh lidhjet e Pekinit me Rusinë.
Por që nga biseda telefonike e Xi-Zelenskyy, disa liderë evropianë, duke përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kanë udhëtuar në Pekin dhe i kanë kërkuar Kinës që të luajë një rol më aktiv në frenimin e veprimeve të Moskës.
Ndaj kjo përpjekje për paqe e Kinës është nxitur dhe nga vetë liderit europiane që besojnë dhe inkurajojnë Kinën si vendi që mund të ndërmjetësojë paqen mes Rusisë dhe Ukrainës.
Kujtojmë se Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar homologut të tij kinez Xi Jinping që të përdorë ndikimin e tij për të ndihmuar në ndalimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Unë e di se mund të mbështetem tek ju për ta sjellë Rusinë në vete,” i tha ai Xi në fillim të bisedimeve në Pekin.
Por ndërsa Pekini ka treguar se mbetet neutral ndaj luftës, pozicionimi i tij i ngushtë me Rusinë kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi qëllimet që qëndrojnë pas shtytjes së saj për paqe.
Një qasje absurde dhe e pavend duke marrë parasysh se pikërisht kjo marrëdhënie miqesore mes Kinës dhe Rusisë është dhe një garanci se Rusia ka besim te Kina si ndërmjetësuese.
Si përpjekjet e para praktike paqësore diplomatike të Kinës për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës në Ukrainë, vizita e Li tregon edhe një herë qëllimin themelor të Kinës për një zgjidhje paqësore të konfliktit Rusi-Ukrainë dhe tregon qëndrimin konsistent të Kinës si një vend kryesor në botë.
“Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv dhe të ndërtojë më shumë konsensus ndërkombëtar për përfundimin e armiqësive, fillimin e bisedimeve të paqes dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës”.
Kujtojmë se Pekini më parë shmangu përfshirjen në konfliktet midis vendeve të tjera, Kina organizoi bisedime midis Arabisë Saudite dhe Iranit në mars që i çoi ata në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike pas një ndërprerjeje shtatëvjeçare, dhe gjithashtu së fundit ka folur dhe për mundësinë e ndërmjetësimit midis Izraelit dhe Palestinës.
“Më shumë thirrje për armë se sa për paqe”
Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, është folur për gjithçka përveçse për një zgjidhje diplomatike të luftës. Mbështetja dhe armatosja e Ukrainës, nuk është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund konfliktit pasi armët nuk sjellin paqe.
Sigurisht konflikti Rusi-Ukrainë është konflikti më i madh i armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ku ka shkaktuar dëme dhe pasoja të pallogaritshme njerëzore, materiale dhe financiare; veç mijëra viktimave ushtarake e civile, janë zhvendosur 15.7 milionë ukrainas (8 milionë persona të zhvendosur brenda vendit dhe 7.7 milionë refugjatë).
Megjithatë sërish thirrja për më shumë armë nuk është zgjidhja përfundimtare për këtë konflikt. E nuk mund të jetë fitore as për Ukrainasit .
Që nga nisja e këtij konflikti, shtetet perëndimore i kanë ofruar armë dhe municione Ukrainës që të përballet me forcat ruse. Së fundmi, Uashingtoni është pajtuar që pilotët ukrainas të trajnohen për përdorimin e avionëve luftarakë F-16, por ende nuk është bërë e ditur nëse SHBA-ja do të dërgojë avionë të tillë në Kiev.
E ndërsa Ukraina vazhdimisht ka kërkuar avionë modernë luftarakë për t’iu kundërvënë dominimit në qiell që ka Rusia, si zgjidhja e vetme në këtë situatë, liderët evropianë i shohin ndryshe perspektivat e zgjidhjes, duke krijuar dhe përçarje mes tyre. Këto përçarje përkeqësohen nga dyzimi midis publikut perëndimor nëse qëllimi kryesor i politikës së vendit të tyre duhet të jetë nxitja për paqen ose vendosja e drejtësisë(!)
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët që mbështesin Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë, me sa duket kanë hequr dorë nga negociatat për t’i dhënë fund luftës. Gatishmëria e NATO-s për t’i ofruar Ukrainës armatime gjithnjë e më të avancuara, si artileria me rreze të gjatë, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe tanket, largon çdo mundësi për tu ulur ne bisedime për ti dhënë fund kësaj agonie lufte.
Dërgesat e tyre të armëve dhe sanksionet gjithnjë e më të ashpra synojnë të gjunjëzojnë Moskën ushtarakisht dhe ekonomikisht. Në vend të kësaj, Pekini ka mbrojtur një zgjidhje diplomatike, siç u demonstrua me udhëtimin dy javor të dërguarit të posaçëm kinez në Europë.
Qasja kineze për paqe është e realizueshme. Bisedimet që çojnë në një zgjidhje të negociuar do t’i japin fund konfliktit më shpejt sesa ato të furnizimit me armë të cilët zgjasin luftimet .
Ndaj kjo rrugë paqësore e Kinës nuk duhet asesi të paragjykohet por të gjithë së bashku të vendosin qofte edhe një “gur” për ta shtruar këtë rrugë të fortë e të sigurt, me bindjen se armët nuk janë rruga drejt paqes, se lufta është një humbje e njerëzimit.
Ndaj në emër të njerëzimit, ndiqni rrugën e paqes!
/Cri–Argumentum.al